Po sillnin drejt brigjeve të Puglies 165 kg marihuanë që u sekuestrua (VIDEO)
Romë, 1 korrik 2016 – Një operacion ndërkombëtar kundër trafikut të drogës në hapësirën detare ndërkombëtare mes Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë i zhvilluar të mërkurën (29 qershor) ka sjellë sekuestrimin e 165 kg marihuanë dhe arrestimin e dy personave.
Ndjekja nga ajri dhe deti nisi paradite kur rreth 20 milje nga bregdeti italian u identifikua një gomone e dyshimtë, që kishte në bord një sasi lënde narkotike. Pas konstatimit në det të gomones, ngjyrë portokalli, rreth 6 metra, nisi shkëmbimi i informacionit mes Frontex, Guardia di Finanza dhe Policisë Shqiptare. Ndjekja në një det të trazuar, zgjati rreth 7 orë, dhe në të u angazhuan helikopteri gjerman “Super Puma” i agjencisë FRONTEX, një helikopter dhe një avion i Guardia di Finanza-s, disa motoskafë të Policisë kufitare shqiptare dhe italiane dhe 1 mjet i rojës bregdetare ushtarake shqiptare.
Kur kuptuan se ishin ppikasur, në përpjekje për t’u shpëtuar forcave të rendit, trafikantët ndërruan drejtim, duke u kthyer drejt Shqipërisë, dhe hodhën në det ngarkesën e drogës, të futur në 10 thasë me peshë totale 165 kg.
E gjithë ngarkesa narkotike, cannabis sattiva, u gjet në hapësirën detare italiane afër Brindizit dhe u sekuestrua bashkë me gomonen nga Guardia di Finanza.
Në prangat e policisë shqiptare ranë 2 trafikuesit e lëndës narkotike, Ermal Hameti, 28 vjeç, dhe Elidon Beluli, 42 vjeç, që të dy nga Vlora.