in

Grabitje në aeroportin e Rinasit. Vidhen 3 milionë euro të një banke

Çka e bën edhe më të rëndë grabitjen e jashtëzakonshme në pistë, fakti që, sipas policisë, në Rinas janë përforcuar masat e sigurisë pas sulmit terrorist në aeroportin e Stambollit.

Tiranë, 1 korrik 2016 – Një grabitje e denjë për një film aksioni ka ndodhur dje në aeroportin Nënë Tereza në Rinas. Pasditen e 30 qershorit, tre persona të armatosur janë futur me një Benz deri në pistë dhe kanë grabitur – të paktën sipas mediave, sepse policia nuk jep informacion mbi sasinë parave të vjedhura – rreth 3 milionë eurosh të një banke private, para që ishin transportuar me furgon të blinduar të kompanisë së sigurisë private “Nazeri” për t’u transferuar jashtë vendit me avion.

Sipas njoftimit të policisë, grabitësit hynë në rrethimin e brendshëm të aeroportit nga porta që ndodhet nga krahu i rrugës Rinas – Fushë Krujë. Si për të hequr çdo përgjegjësi nga vetja, policia thotë gjithashtu se “rrethimi i jashtëm sigurohet nga shërbimi i sigurisë së kompanisë private që menaxhon aeroportin”.

Pas grabitjes, autorët janë larguar me shpejtësi në drejtim të urës së Gjolës ndërsa policia që u vu në ndjekje të tyre nga toka e ajri ka mundur të gjejë vetëm një mjet të tipit “Benz” të djegur, që nga verifikimt rezultoi i vjedhur në Pogradec pak ditë më parë.

Në orët që pasuan, nga telekamerat e mbikëqyrjes së aeroportit u mësuan detaje interesante mbi lehtësinë me të cilën është mundur të kryhet grabitja e paprecendentë. Mercedesi me tre grabitësit eci për rreth 1 km në pistën e Rinasit, deri kur arriti tek dy furgonat me para pranë avionit të linjës që do të nisej për Itali. Tre persona të maskuar dolën nga makina dhe i drejtuan armën shoferit të njërit prej furgonëve, që ishte i hapur. Grabitësit kanë marrë thasët me para, ose thuajse 3 milionë euro, i kanë vënë ato në makinën e tyre dhe janë larguar me shpejtësi.

Ngjarja e djeshme është akoma më shqetësuese po të mendohet që ndodhi vetëm një ditë pas shpalljes nga anë e policisë së përforcimit të masave të sigurisë në aeroportin e Rinasit pas sulmit terrorist që ndodhi në aeroportin e Stambollit. Pyetja që lind natyrshëm është: çmund të ndodhë në aeroportin ndërkombëtar të Shqipërisë në një ditë të zakonshme me nivel sigurie normal, kur në kushte sigurie të lartë një makinë e paautorizuar me njerëz të armatosur arrin të hyjë deri pranë avionëve në pistë?

Nga ana tjetër siç shkruan Artur Zheji në 360grade.al, hajdutët “zbuluan” edhe diçka të rëndësishme: që “shumë para udhëtojnë cash, apo si i thonë shqip si para të thata, të futura në thasë, që ngarkohen nëpër avionë, me destinacion, nuk dihet se ku”.
Dhe, vazhdon Zheji, “meqë këto na qenkan para private, që s’dihen akoma se të kujt janë dhe për llogari të kujt lëvizin, nuk duhet të flasë vetëm policia, por edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Edhe në Kuvendin e plot gjurulldi të Shqipërisë, lipset një interpelancë e posaçme për këtë “zbulim të mrekullueshëm” të hajdutëve”.

 

Drogë nga Shqipëria në Itali. Arrestohen 2 trafikantët

Lejeqëndrim personal për fëmijët e huaj, tani është ligj