in

Drogë nga Shqipëria me motorë uji, sekuestrohen mbi 200 kg mariuhanë

Është arrestuar një 37-vjeçar shqiptar, në kërkim edhe një person tjetër

Romë, 22 gusht 2016 – Çdo mjet është i mirë për të transportuar drogë. I madh a po i vogël, pak rëndësi ka, kush do di t’ia gjejë anën për të transportuar sa më shumë, mjaft që të ecë shpejt. Këtë tregon edhe rasti i sotëm i kronikës që flet për sekuestrim të 214 kg marihuanë të gjetur në dy motorë uji pranë brigjeve të San Cataldos në Lecce.

Dy motorë uji janë zbuluar rastësisht pa gdhirë dita e sotme pak milje larg brigjeve të San Cataldos, provinca e Lecces, nga një helikopter i Guardia di Finanza të Barit dhe Tarantos, që kontrollonte zonën, e menjëherë në drejtim të tyre janë nisur me shpejtësi dy motovedeta të financierëve.

Me të kuptuar se po ndiqen, skafistët kanë hedhur në det një pjesë të drogës dhe kanë shtuar shpejtësinë. Pas disa peripecive e një ndjekjeje të gjatë një prej skafistëve është kapur, tjetri ka zbarkuar në Fregole ka lënë në breg motorin e ujit dhe falë natës ka arritur t’ia mbathë në brendësi pa lënë gjurmë. Është akoma në kërkim. I arrestuari në flagrancë për veprën penale të mbajtjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike dhe shkelje të kodit të lundrimit e të sigurisë në det, është një 37 vjeçar nga Vlora me iniciale T.L. , i njohur edhe më parë nga forcat e rendit italiane për krime droge.

Financierët kanë çuar dy mjetet lundruese në bazën e Otrantos. Sasia e drogës që u gjet e lidhur anëve të motorëve kap 214 kilogramët, me vlerë tregu prej mëse 2 milionë eurosh.

Po hetohet jo vetëm për të gjetur se cili ishte destinacioni i drogës por, në bashkëpunim me policinë shqiptare, edhe për të kuptuar kanalet e sigurimit të drogës në Shqipëri.

 

“Pezzi di m… ve ne dovete andare!”, video dell’agressione a 4 minori egiziani

Bashkim familjar edhe me partnerin e lidhjes civile