Kur duhet paraqitur kërkesa? Prindërit duhet të përditësojnë lejeqëndrimin e tyre? E nëse kanë kartë qëndrimi? Përgjigjet e ministrisë pyetjeve të ANCI-t
Romë, 29 shtator 2016 – Një leje qëndrimi personale për të gjithë të miturit e huaj. Është risia e ardhur në fuqi më 23 korrik bashkë me ligjin evropian 2015-2016. Më parë, dokumenti u lëshohej vetëm djemve dhe vajzave nga 14 vjeç e lart, më të vegjëlit regjistroheshin në lejen e prindërve.
Të shumta dyshimet e pikëpyetjet e nënave dhe baballarëve migrantë e të atyre që i ndihmojnë për të përtërirë dokumentet e qëndrimit. Disa prej këtyre pyetjeve i janë përcjellë ministrisë së Brendshme nga operatorët e rrjetit të komunave që përkrahin Programin e ANCI-t, që prej disa ditëve ka publikuar përgjigjet e përpunuara në bashkëpunim me Viminalen.
“1. Në rastin kur të dy prindërit kanë leje qëndrimi me skadencë por në data të ndryshme, në çastin e skadenës më të parë të lejes së qëndrimit të njërit prej prindërve, duhet bërë kërkesa leje personale për bijtë e mitur të regjistruar në të. E në këtë çast prindi tjetër duhet të përditësojë lejen e qëndrimit për të hequr emrin e bijve nga dokumenti? Jo nuk është nevoja, mund të presë skadencën e dokumentit e bashkë me përtëritjen do të bëjë edhe përditësimin.
2. Në rast se prindi 1 ka leje me skadencë e prindi 2 ka lejeqëndrim BE për qëndrues afatgjatë (kartë qëndrimi). Kur prindi 1 do të përtërijë lejen e qëndrimit, edhe tjetri duhet të përditësojë kartën e tij më mënyrë që të kërkojë edhe për bijtë kartë qëndrimi personale?
Është e udhës që prindi me lejeqëndrim BE për qëndrues afatgjatë të bëjë përditësimin pasi është mbajtës i një dokumenti më të favorshëm edhe për bijtë. Prindi me leje me skadencë, në çastin e përtëritjes bën edhe përditësimin e dokumentit për të hequr bijtë nga leja.
3. Në rastin kur të dy prindërit kanë lejeqëndrime BE për qëndrues afatgjatë. Kërkesën e përditësimit me qëllim që të marrin lejen individuale për bijtë duhet ta paraqesin të dy apo mjafton që të përditësojë dokumentin vetëm njëri prej tyre?
Për të pajisur të miturin me dokument individual, mjafton që vetëm njëri prej prindërve të përditësojë dokumentin e tij”.