in

“Braktisja” e të miturve në Itali, paditen 66 shqiptarë

Për prokurorinë e Forlisë, shumë familje shqiptare kanë abuzuar me sistemin italian të mbrojtjes të të miturve për t’u siguruar bijve të tyre qëndrimin e shkollimin në Itali në ngarkim të shtetit

Dhjetëra të mitur shqiptarë që hyjnë si turistë në Itali, të shoqëruar nga persona të rritur, në vend që të kthehen brenda 3 muajve në atdhe, “braktisen” prej të rriturve dhe shkojnë e trokasin dyerve të komisariateve të policisë, kazermave të karabinierëve apo institucioneve të asistencës sociale.

Këtë kanë zbuluar autoritetet e Emilia Romagnas ku është vërejtur një rritje e numrit të të miturve shqiptarë që kërkojnë ndihmë nga shteti si të braktisur. Në vitin 2015 arrihet kulmi, me 63 te braktisur të rremë vetëm në krahinë. Por fakti që Shqipëria nuk është as vend në luftë e as vend që po përjeton ndonjë krizë humanitare, ka shtyrë autoritetet të nisin hetimet mbi këta të mitur të braktisur (që shpesh janë adoleshentë nga 14 deri në 17 vjeç) duke zbuluar kështu që të paktën nuk bëhet fjalë për kriminalitet të organizuar që shfrytëzon trafikun e të miturve por mashtrim i pastër nga familjarët e të rinjtë për të siguruar kushte më të mira jetese e studimi.

Në përfundim të hetimeve prokuroria e qytetit emilian Forli ka paditur 41 një të rritur shqiptarë për braktisje të të miturve, vjedhje me mashtrim në dëm të shtetit dhe favorizim të imigracionit klandestin, dhe 25 të mitur shqiptarë për veprën penale të vjedhjes me mashtrim të shtetit.

Praktikisht, të rinjtë, të këshilluar nga familjarët, hiqeshin si të braktisur që të merreshin në ngarkim nga trukturat italiane të mbrojtjes sociale. Në këtë mënyrë ata siguronin ushqim, strehim, ndërmjetësim kulturor e gjuhësor, shkollim (ardhjet më të mëdha janë verifikuar në shtator kur fillon shkolla) deri kur do të mbushnin 18 vjeç, më pas do të kishin lehtësime për lejen e qëndrimit e për hyrjen në tregun e punës. Të gjitha këto janë teorikisht të mundura sepse normativa italiane në fuqi parashikon një sërë garancish e mbështetjesh për të miturit e braktisur sipas Konventës së Nju Jorkut. E pikërisht me këtë mbështetje ndaj të miturve të braktisur dhe falë faktit që ligji italian ndalon dëbimin me forcë të të miturive, kanë abuzuar fisa familje shqiptare.

Nga hetimet ka dalë në dritë se adoleshentët “e braktisur” mbërrinin në Emilia Romagna nga portet e Barit dhe Brindisit. Aty mbërrinin të lumtur në gjirin e familjeve të tyre për turizëm në Itali. Por disa ditë më pas, vetëm, paraqiteshin dyerve të komunës, policisë, karabinierëve për të kërkuar ndihmë sepse ishin lënë në mes të rrugës nga prindërit. Gjë aspak e vërtetë. Gjatë hetimeve u zbuluan raste nga më të ndryshmet: shoqërues  që prisnin deri sa i mituri “të sistemohej” para se të ktheheshin në atdhe, familjarë që jetonin rregullisht në një qytet tjetër aty pranë që në këtë mënyrë sillnin të miturin në Itali, dhe u siguronin shkollim, veç ngrënies e fjetjes. Në shumë raste u gjetën vëllezër në moshë madhore e xhaxhallarë rezidentë në qytetet aty pranë.

Sipas hetuesve, të miturit vinin kryesisht nga qarku i Elbasanit ku me sa duket ishte kaluar gojë më gojë mënyra se si mund të çoheshin fëmijët të studionin jashtë pa shpenzuar asnjë qindarkë (gjithçka në ngarkim të shtetit italian).

Gjatë hetimeve, policia nxori nga sistemi i mbrojtjes 21 të mitur. Kjo për arsye se shumë familjarë, sidomos ata që jetojnë në Itali, kur e panë veten të akuzuar zyrtarisht për vepra të rënda penale, u paraqitën “vullnetarisht” për të rimarrë të miturit e braktisur. Nga 21 të miturit, as 10 nuk kanë mbetur në Itali, e jo në struktura shtetërore por pranë familjarëve të tyre, të tjerët janë kthyer në Shqipëri bashkë me prindërit.

 

 

 

 

 

Gjermani. 46.000 vendet e punës, jo vetëm për shqiptarët

Bllokohet skafi me mëse gjysmë toni drogë, ndalohen dy italianët në bord