Një tjetër operacion i natës së fundit ka zbuluar një gomone që sillte kuintalë drogë nga Shqipëria në brigjet e Lecces (VIDEO)
Romë, 11 tetor 2016 – Nga Shqipëria në Salento me gomone të ngarkuara sa më s’bëhet. Nuk ka të sosur droga që kapërcen Adriatikun. Është e disata herë brenda pak javëve që Guardia di Finanza në Puglia zbulon trafik sasish të mëdha të marihuanës.
Edhe natën e fundit në ujërat përpara Torre Chianca (Lecce) anijet e shpejta të Guardia di Finanza të Barit pikasën një gomone që i afrohej bregut me shpejtësi të lartë. Dy skafistët, me të kuptuar se po ndiqeshin nga financierët provuan të braktisnin gomonen në greg e t’ia mbathnin. Pas një ndjekjeje të shkurtër u kapën e u arrestuan. Të dy shqiptarë me moshë 43 dhe 39 vjeç.
Në gomone – 6-metërshe e me dy motorë – u gjetën 33 pako të madhësive të ndryshme me gjithsej 732 kg marihuanë për një vlerë tregu rreth 7 milionë eurosh.