in

Gentian Alimadhi, profili i ri i kryebashkiakut të ardhshëm në Itali

I propozuar nga komunitetet e huaja, Gentian Alimadhi është një prej kandidatëve të qendrës së majtë për primariet për kryebashkiakun e Parmës. I njohur si avokat i zoti e si person aktiv në jetën komunitare, ka më shumë shanse se të tjerët të fitojë primariet

Është 44-vjeçari Gentian Alimadhi një prej 5 kandidatëve të qendrës së majtë për primariet për kryebashkiakun e Parmës. I lindur e i rritur në Fier, nga viti 1993 jeton në Parma ku ka ndjekur universitetin për juridik, është bërë avokat – i pari jokomunitar i regjistruar në Urdhrin e Parmës – e aty ka ngritur familje e ka hapur studion e tij legale që sot ka seli edhe në Piacenza e në Tiranë.

I njohur si avokat penalist i suksesshëm por edhe si aktivist i zellshëm në komunitetin shqiptar, Alimadhi mendon se tashmë ka ardhur çasti të japë kontributin e tij konkret për qytetin pas një rrugëtimi personal të gjatë e të mundimshëm prej italiani të ri. E me përvojën e tij personale, vullnetin e vendosmërinë e treguar për të bërë realitet ëndrrat në një vend ku 20 vjeç e nisi nga e para, me pjesëmarrjen aktive në jetën sociale, veçanërisht në shoqatën Scanderbeg – është një nga themeluesit e për disa vjet edhe kryetar i saj – ka vërtet ç’ofron.

Alimadhi, në fakt, mishëron atë çka një i huaj që zgjedh të ndërtojë në Itali të ardhmen e tij e që arrin të çajë në jetë, përjeton: nga klandestiniteti te pajisja me dokumente qëndrimi e më pas me pasaportën italiane, nga puna në të zezë deri te shkollimi e realizimi profesional, nga shkëputja, shpesh edhe në moshë të re, prej gjirit të familjes e rrethit shoqëror deri te ngritja e familjes e krijimi i shoqërisë së re duke qenë gjithnjë aktiv qoftë në jetën e komunitetit të tij qoftë në atë të qytetit pritës që përditë e më shumë bëhet i veti.

“Shqiptarët janë italianët më të mirë që ekzistojnë. Kanë ditur të integrohen, të bashkohen, të ndryshojnë dhe të na ndryshojnë, duke u bërë të padallueshëm pa u asimiluar, pa hequr dorë nga çka janë. Shpresoj vërtet që nesër të kemi një kryeministër me origjinë shqiptare…” shkruante para disa muajve gazetari Matteo Zola në një shkrim me titull “I dua shqiptarët”. Ndoshta për kryeministër (mes shqiptarëve të pas ’90-tës) akoma nuk ka ardhur koha, por për një kryebashkiak, pse jo.

Kandidaturën e Alimadhit e mbështesin shumë italianë, por në mënyrë të veçantë shqiptarët e komunitetet e huaja në përgjithësi, që bashkë me disa shoqata italiane e propozuan. Dhe të huajt me lejeqëndrim në Parma janë 30 mijë, nga këta, rreth 3 mijë janë shqiptarë. Janë disa mijëra të tjerë që kanë marrë tashmë shtetësinë italiane, pra nuk rezultojnë mes të huajve, e që ndihen të përfaqësuar nga Alimadhi. Këto shifra janë domethënëse në një qytet me 200 mijë banorë. Veçanërisht për fazën e parë, atë të primarieve që mbahen në fund të shkurtit për të zgjedhur se cili mes 5 kandidatëve dë qendrës së majtë do të shkojë përpara në garën për kryebashkiakun e ardhshëm, duken vendimtare. Për arsyen e thjeshtë sepse në primariet e qendrës së majtë mund të votojnë edhe shumë të huaj që nuk kanë akoma shtetësinë italiane dhe sepse në primariet e fundit të vitit 2012 votuan vetëm 8.400 persona.

Ndaj, siç thotë me shaka ndonjë mbështetës i avokatit, apo me seriozitet ndonjë kundërshtar i tij, Parma “rrezikon” vërtet të ketë kryebashkiakun e ardhshëm shqiptar. Nëse është i zoti e di të fitojë votat e qytetarëve të Parmës, “Pse jo?” do të thonim.

K.B. / Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

 

 

Vetëcertifikimet u ndalohen të huajve, në radhë edhe këtë vit

Saviano a Salvini e Meloni: “Beceri razzisti”