in

Zgjedhja e Presidentit të Shqipërisë. Sot raundi i tretë

Kuvendi mblidhet sot në orën 15:00, pas dështimit të dy raundeve të para për mungesë kandidati e pas misionit të pasuksesshëm në Tiranë të dy eurodeputetëve që nuk arritën të gjejnë një kompromis mes mazhorancës dhe opozitës

Tiranë, 27 prill 2017 – Kuvendi zhvillon sot në orën 15:00 raundin e tretë të votimit për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës. Deri tani janë konsumuar dy, nga pesë raundet e votimit për zgjedhjen e kreut të ri të Shtetit, sepse për garën presidenciale në dy raundet e para nuk u paraqit asnjë kandidat zyrtar.

Votimi quhet i ezauruar edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidature. Pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, në raundin e katërt dhe të pestë të votimit në parlament, Presidenti mund të zgjidhet edhe me një shumicë prej 71 votash, ndërsa në raundet parardhëse zgjedhja e tij duhet të bëhet me shumicë të cilësuar, 84 vota.

Raundi i sotëm për garën presidenciale pason misionin e pasuksesshëm në Tiranë të dy eurodeputetëve, David McAllister, kryetar i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian dhe Knut Fleckenstein, raportues për Shqipërinë, të cilët nuk arritën t’i japin një zgjidhje krizës politike në Shqipëri.
Dy zyrtarët e PE-së, megjithë takimet intensive të martën me drejtues të qeverisë dhe opozitës, nuk arritën të sigurojnë një kompromis që do ta nxirrte opozitën nga çadra e protestës dhe do ta bindte për të hyrë në zgjedhje.

Propozimet e paraqitura nga McAllister dhe Fleckenstein për afrimin e palëve, përfshinin disa pika, si ajo mbi dekriminalizimin, luftën kundër lëndëve narkotike, masa teknike për përmirësimin e procesit të zgjedhjeve, ndërtimin e besimit politik, si edhe propozime mbi datën e zgjedhjeve dhe ndryshime të mundshme në strukturat e qeverisë. Por mes pikave të marrëveshjes së dy eurodeputetëve nuk ishte përfshirë kërkesa e opozitës për qeveri teknike.

Megjithëse mazhoranca ishte dakord me pikat e propozuara, me kushtin e vetëm që vetting-u të kalojë në parlament, Partia Demokratike i qëndroi pozicionit të saj për caktimin e një kryeministri teknik dhe vënien në jetë të një sistemi elektronik për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Pas deklaratës së Delegacionit te BE-së në Tiranë për negociatat e dy zyrtarëve të PE-së, kryetari i PD-së fajësoi kryeministrin Rama, që sipas Bashës refuzoi “qeverinë teknike të zgjedhjeve të lira si zgjidhjen e vetme për zgjedhje të lira e të ndershme”.

Nga ana e tij kryeministri Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, shprehu gatishmërinë e mazhorancës per dialog pa kushte. “Por, pa Vetingun s’ka asnjë kompromis, sepse Drejtësia për Shqipërinë që duam nuk negociohet”. (ATSh)

Lexo edhe:
Afatet e procedurat për zgjedhjen e Presidentit

Presidentët e Shqipërisë demokratike, nga Alia te Nishani
Zgjedhja e Presidentit të Shqipërisë. Dështon raundi i parë

Zgjedhja e Presidentit të Shqipërisë. Dështon edhe raundi i dytë

 

Liria e shtypit. Shqipëria në përmirësim, por ka akoma rrugë për të bërë

Ramush Haradinaj është person i lirë