in

Shtetësia italiane. Më 15 qershor, reforma në sallën e Senatit

E vendosi javën e shkuar Konferenca e krerëve të grupeve të senatorëve, e këtë radhë edhe sikur komisioni të mos ketë përfunduar me reformën. Ndërkohë, pas plot një viti, komisioni ka zbardhur rreth 8 mijë amendamentet e ka nisur në prill diskutimin

Romë, 8 maj 2017 – Më në fund reforma për shtetësinë për brezat e dytë duket se po bën një hap përpara. Më 2 maj, konferenca e krerëve të grupeve vendosi ta fusë reformën në kalendarin e punimeve plenare të 15 qershorit 2017. E kishte provuar edhe dy herë të tjera, një herë korrikun e shkuar e një herë janarin e këtij viti. Pa asnjë rezultat për shkak të formulës “nëse punimet mbi reformën janë mbyllur në Komision”. Këtë radhë shancet janë më të mëdha pasi ndryshe nga dy herët e para, reforma “është kalendarizuar për në 15 qershor, edhe sikur të mos jetë mbyllur shqyrtimi i saj në Komision”.

I kënaqur kryetari i senatorëve të PD-së, Luigi Zanda, që menjëherë pas konferencës deklaron “Me propozim të Partisë Demokratike, Konnferenca e krerëve të grupeve ka vënë në kalendar diskutimin në sallën e Senatit të Ius soli-t, edhe po të mos jetë përmbyllur shqyrtimi i tij në komision”.

E kënaqur edhe raportuesja e reformës, Doris Lo Moro, jo më PD por me Articolo 1 – Movimento Democratico Progressista që shkruan: “Reforma e shtetësisë duhet të shkojë përpara. Për ne të Articolo 1-MDP është përparësi absolute”.

“Konsiderojmë që nuk mund të ketë më kthim mbrapa pas zgjedhjen e bërë nga krerët e grupeve të Senatit për kalendarizimin e reformës më 15 qershor edhe pa qenë mbyllur debati në komision. – shkruajnë në një kominikatë Lo Moro dhe kryetarja e grupit të senatorëve Articolo 1-MDP, Maria Cecilia Guerra që nënvizojnë – Nuk pranuam të kushtëzojmë ecurinë e reformës me zgjedhjet administrative dhe sfiduam Legën të tërheqë amendamentet e saj për të mundësuar një debat të mirëfilltë në sallën e Senatit”. 

Ndërkaq, pas një viti shtyrje (për arsye nga më të ndryshmet, shpesh sepse tema të tjera konsideroheshin më urgjente se reforma dhe dilnin mbi të, e njëherë për të mos u keqpërdorur në fushatën e referendumit), më 6 prill 2017 Komisioni për Çështjet Kushtetuese ka nisur sërish diskutimin rreth reformës. Më në fund ka arritur të botojë të gjithë amendamentet e paraqitura deri prillin e shkuar, thuajse 8 mijë, pjesa dërrmuese e të cilave mbajnë firmën e legistit Calderoli. Nëse do të arrijë të nxjerrë një tekst të vetëm për ta paraqitur në sallën e Senatit për 15 qershorin, është vështirë të pohohet, por kjo pak vlerë ka tani që Konferenca ka vendosur të çojë projektin e reformës në senacë plenare të Senatit.

E të interesuarit? Qindra mijëra italianët pa shtetësi? Pas shumë manifestimeve në shesh, takimeve me përfaqësues të Senatit, pas dërgimit të kartolinave me të cilat u tregonin senatorëve se kush janë, prej disa ditësh kanë publikuar një letër të hapur me të cilën u bëjnë thirrje senatorëve të mos harrojnë që kanë në duart e tyre jetët e qindra mijëra personave të lindur dhe/ose të rritur në Itali që ligji vazhdon t’i konsiderojë të huaj, që deri tani ka marrë mbështetjen e rreth 23.900 personave.

“Jemi Ilham, Giorgia, Youness, Sonny, Chouaib, Andres, Sirine, Sarra, Ada, Xavier, Insaf, Sara, Fatoumata, Ervin, Fioralba.
Përfaqësojmë ata 1 milion “italianë e italiane pa shtetësi”, nga të cilët 800 mijë janë të mitur të lindur apo të ardhur në Itali në moshë të vogël fare, por të konsideruar t huaj nga Shteti. Në këtë vend çojmë gjithë ekzistencën tonë: mësojmë të ecim dhe të flasim, rritemi, studiojmë, punojmë, njësoj si bashkëmoshatarët tanë që shtetësinë e kanë trashëguar sipas ligjit 91 të vitit 1992, ligj që na dënon të mbetemi “të huaj në vendin tonë” sepse kush na solli në jetë është i huaj…” shkruajnë në peticion të rinjtë e lëvizjes “Italiani senza cittadinanza” mes të cilëve janë edhe Ervin Bajrami, Fioralba Duma, Arbër Agalliu. Kushdo që dëshiron t’i mbështesë, mund të nënshkruajë peticionin:

Keti Biçoku / Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Cultura giuridica e riforme albanesi, in convegno a Firenze

Vajza çifute kthehet pas 74 vjetësh: “Nuk do vdisja pa takuar ata që më shpëtuan”