in

Hyn në shtëpi të policit që i përgjigjet me armë. Në gjendje të rëndë 36vjeçari

Giugliano. Është shqiptari Eugen Kami, personi që mëngjesin e djeshëm është qëlluar me armë nga i zoti i shtëpisë ku kish hyrë. Tani ndodhet në spital duke luftuar mes jetës dhe vdekjes

Romë, 17 maj 2017 – Një polic ka pikasur hajdutë në shtëpi në të gdhirë të ditës së djeshme dhe ka qëlluar me armë zjarri një prej tyre. Ngjarja ka ndodhur në Giugliano të Napolit dhe është Eugen Kami, 36 vjeç, personi që ka mbetur i plagosur rëndë e tani është i shtruar në spitalin Cardarelli.

Sipas rindërtimit të ngjarjes nga vetë polici, agjent në kuesturën e Napolit, ky është zgjuar nga të lehurat e qenit në 4.30 dhe ka dalë në ballkon të katit të dytë të vilës ku jeton, në kat të parë të të cilës jeton një tjetër familje. Kur ka parë tre të panjohur në oborr u ka thirrur: “Ndal, policia!”, por si përgjigje një prej tyre ka shtënë me pistoletë, plumbi i të cilës ka përfunduar në mur. Polici i është përgjigjur me armë dhe ka goditur një prej banditëve që ka mbetur në vend ndërsa dy të tjerët ia kanë mbathur.

Personi i goditur është çuar me urgjencë në spital, fillimisht në atë të Pozzuoli-t e më pas në Crdarelli të Napolit ku është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore për shkak se ka humbur një sasi të madhe gjaku. Pasditen e të martës policia njoftoi se i plagosuri është Eugen Kami, 36 vjeç, emigrant shqiptar i parregullt në Itali. Kami ka precedentë penalë për vjedhje e bashkë me dy miqtë e tij që arritën të largoheshin mendohet se kanë kryer edhe vjedhje të tjera në zonë. Pistoleta me të cilën qëlloi, është armë e vjedhur në Giugliano në vitin 2015.

Policia e Napolit po punon për identifikimin e kapjen e dy personave të tjerë.

Për Kuestorin e Napolit, De Iesu, agjenti “ka vepruar me profesionalitet dhe për vetëmbrojtje”. “E megjithatë, – ka pranuar De Iesu – fjala e fundit i takon  prokurorisë së Napolit që po ndjek hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe gjykatës”.

 

 

 

Një Macron për Shqipërinë

15-vjeçari “i braktisur” në Itali akuzohet për mashtrim ndaj shtetit