Presidenti Nishani ka dekretuar ndryshimet në qeveri sipas propozimeve të opozitës. Sot pasdite, seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për miratimin e ministrave teknikë, vetingun dhe KQZ.
Tiranë, 22 maj 2017 – Partia Demokratike publikoi mbrëmë propozimet për zv.kryeministrin dhe ministrat teknikë në qeveri. Po dje, kryeministri Rama dhe kreu i PD-së, Basha, u takuan në mjediset e Pallatit të Kongreseve dhe përmbyllën një nga pikat e marrëveshjes që ata arritën të enjten, 18 maj, atë që ka të bëjë me emrat e posteve që i janë besuar PD-së.
Ja kush janë të propozuarit e opozitës, tashmë të dekretuar edhe nga presidenti Nishani që paraditen e sotme ka shpallur dekretet për lirimin nga detyra të pararendësve dhe emërimin e këtyre të rinjve, emrat e të cilëve i janë dërguar mbrëmë nga kryeministri Rama.
Për postin e zëvendëskryeministrit e emëruara është Ledina Mandia, ish-Avokate e Shtetit. Me profesion juriste, ajo ka qenë edhe një ndër propozimet për Këshillin Drejtues të RTSH.
Për postin e ministrit të Brendshëm, Dritan Demiraj, gjeneral, ish-komandant i Trupave Speciale dhe ish-pjesëtar i Forcave të Armatosura në misionet jashtë vendit. Ka disa diploma universitare e 24 medalje në ushtri dhe në sport (mbresëlënëse CV-ja e tij e ofruar mediave). Trajnues i misioneve paqëruajtëse “Eagle”, si dhe është nderuar me dekoratën “Nderi i Kombit”.
Ministre e Financave, Helga Vukaj, drejtoreshë në KLSH dhe ish zv/drejtoreshë e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ajo është diplomuar në Jurisprudencë (2000), është Doktore e Shkencave Juridike, ka 10 vite eksperience pune si Juriste në Presidencë, Drejtor Drejtorie në Ministri të Brendeshme, zv drejtor i Përgjithshëm në Agjensinë e Kthimit dhe Kompesimit te pronave, 2 vitet e fundit në KLSH si Drejtoreshë e Përgjithshme. Fusha e ekspertizës: Juris-Prudenca (pronat e paluajtshme).
Ministër i Drejtësisë, Gazmend Bardhi. Gëzon reputacion në radhët e PD-së dhe deri më sot ka ruajtur profilin e tij teknik duke punuar si këshilltar ligjor i grupit parlamentar. Ai ka qenë ekspert pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, ndërsa më herët ka punuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Kodifikimit.
Ministër i Arsimit dhe Sportit, Mirela Karabina. Aktualisht pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Sociale. Në CV-në e saj, radhit një eksperiencë të gjatë në mësimdhënie. Mirela Karabina është edhe bashkëshortja e ambasadorit në karrierë dhe ish-zv.ministrit të Mbrojtjes, Petrit Karabina. Së fundi, ishte një nga pjesëmarrëset aktive në protestat e çadrës.
Ministër i Shëndetësisë, Arben Beqiri, mjek. Ai është me profesion Kirurg, Gastrohepatolog. Ka mbajtur postin e zv/rektorit të Universitetit të Shëndetësisë dhe për më shumë se 20 vjet ka qenë pedadog i kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë. Është i njohur për përdorimin e teknikave të reja kirurgjikale kryesisht në fushën endoskopike dhe laparaskopike. I vetmi kirurg shqiptar që u shpall fitues i bursës Fulbright në National Naval Medical Center ëashington DC dhe i vetmi mjek shqiptar anëtar i American Society of Gastrointestinal Endoscopy, i njohur në literaturën ndërkombëtare për kontributin në kërkim shkencor të teknikës së përdorur prej tij në vitin 1997 për endoskopi gastrointestinale.
Ministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë: Xhuljeta Kërtusha. Ka mbajtur detyrën e kreut të njësisë së blerjes së energjisë dhe zhvillimit të tregut rajonal në CEZ.
Po ashtu, Partia Demokratike ka propozuar Klement Zgurin për postin e Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, prej shumë vitesh anëtar i këtij institucioni, ndërsa avokaten Erinda Ballancën për kreun e Avokatit të Popullit.
Sot pasdite do të mblidhet edhe Kuvendi i Shqipërisë për të miratuar shkarkimin e zëvendëkryeministrit dhe të 6 ministrave dhe zëvendësimin e tyre me teknicienët e propozuar nga Partia Demokratike.
Gjatë seancës së sotme, Kuvendi do të miratojë edhe anëtarët e opozitës në komisionet e vettingut, paketës ligjore per reformën zgjedhore si dhe emërimin e kryetarit të KQZ-së dhe një anëtari të tij, edhe ky i fundit i propozuar edhe nga opozita.
Pikat e rendit të ditës të Kuvendit janë:
1. Votimi i Dekreteve të Presidentit për lirim dhe emërim të:
– Zëvendëskryeministrit
– ministrit të Punëve të Brendshme
– ministrit të Arsimit dhe Sportit
– ministrit të Shëndetësisë
– ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
– ministrit të Financave
– ministrit të Drejtësisë
2. Projektvendim “Për një ndryshim të vendimit nr. 12/2017 “Për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore”
3. Shqyrtimi dhe miratimi i paketës ligjore propozuar nga Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore;
4. Projektvendim “Për caktimin e përfaqësuesve të pakicës parlamentare në komisionet
Për verifikimin e kandidatëve në institucionet e rivlerësimit, sipas vendimit nr. 41/2017 të Kuvendit të Shqipërisë me 6 anëtarë
Për përzgjedhjen e kandidatëve në institucionet e rivlerësimit, sipas vendimit nr. 45/2017 të Kuvendit të Shqipërisë me 12 anëtarë”
Për përzgjedhjen e kandidatëve në institucionet e rivlerësimit, sipas vendimit nr. 46/2017 të Kuvendit të Shqipërisë me 6 anëtarë”
Për caktimin e dy anëtarëve zëvendësues të opozitës në Komisionin Ad Hoc për verifikimin e kandidatëve për Institucionet e Rivlerësimit
5. Projektvendime “Për lirimin nga detyra të një anëtari të KQZ-së” dhe “Për emërimin e një anëtari të KQZ-së”
6. Projektvendime “Për lirimin nga detyra të Kryetarit të KQZ-së” dhe “Për emërimin e Kryetarit të KQZ-së”