Deri në 160 euro në muaj, por vetëm për një vit, për çdo fëmijë të lindur apo birësuar gjatë vitit 2018. INPS vazhdon të përjashtojë prindërit me lejeqëndrim të ndryshëm nga Karta e qëndrimit, në shkelje të ligjeve komunitare dhe të sentencave të shumta të gjykatave italiane që u kanë dhënë të drejtë imigrantëve, duke vlerësuar këtë kërkesë diskriminuese
Romë, 23 shkurt 2018 – Edhe për këtë vit, familjet me të ardhura të ulëta që do të bëhen me fëmijë do të kenë një mbështetje të vogël në formën e një çeku mujor. Është fjala për “Bonusin bebe”, nga i cili përfitonin familjet për të lindurit nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2017 dhe që ligji i fundit financiar e la në fuqi edhe për të gjitha ato që do të lindin apo birësojnë fëmijë në vitin 2018.
Kriteret për ta marrë janë ato të viteve të shkuara: tregues i situatës ekonomike (ISEE) nën 25 mijë euro për një çek mujor nga 80 euro (960 € në vit), duke filluar nga lindja apo birësimi i fëmijës, për ISEE që nuk kapërcen 7 mijë eurot, shuma e çekut dyfishohet: 160 euro në muaj (1.920 € në vit). Por nëse kufijtë e të ardhurave maksimale për të përfitimit të çekut mbeten të njëjta me ato të viteve të shkuara, ndryshon kohëzgjatja e kësaj ndihmese: jo më për tre vjet, por vetëm një. Praktikisht për fëmijët e lindur vitin e shkuar, çeku jepet për tre vjet, ndërsa për ata që lindin nga një janari, do të jepet vetëm për një vit.
Ashtu si vitet e shkuara, INPS vazhdon t’u kërkojë padrejtësisht të huajve kartën e qëndrimit apo lejen e qëndrimit BE për qëndruesit afatgjatë edhe pse kjo bie ndesh me normativën evropiane, dhe është konsideruar diskriminuese nga gjykatat italiane sa herë që të huajt kanë hedhur në gjyq Institutin e sigurimeve Shoqërore mbi këtë çështje. Praktikisht, sipas INPS-it, këtë bonus mund ta kërkojnë prindërit italianë, komunitarë dhe jokomunitarë, këta të fundit nëse gëzojnë statusin e refugjatit politik, ose mbrojtjen humanitare ose kanë lejen e qëndrimit BE për qëndruesit afatgjatë, të ashtuquajturën karta e qëndrimit.
Si kërkohet bonusi bebe 2018
Kërkesa paraqitet brenda 90 ditëve nga lindja ose birësimi i fëmijës përmes patronateve (pranë të cilave mund të kërkohet edhe përllogaritja e ISEE-s), përmes Contact Center të INPS-it (803164 nga telefoni fiks ose 06164164 nga celulari), ose përmes portalit internet të INPS-it.
Kush vendos të paraqesë kërkesën personalisht online, natyrisht para së gjithash duhet të ketë kodin PIN. Kur janë në portalin e INPS-it (www.inps.it) të interesuarit duhet të shkojnë në skedën e këtij bonusi: “Assegno di natalità (Bonus Bebè) per i nati nel 2018” dhe të aplikojnë duke shtypur mbi butonin “Accedi al servizio” anash titullit të faqes në të djathtë.
Lexo edhe:
Bonus bebe. Çifti shqiptar fiton gjyqin kundër INPS-it
Bonus bebe. Gjykata u jep sërish të drejtë imigrantëve: “INPS të mos kërkojë kartë qëndrimi”
Bonus bebe, nënat fitojnë përsëri: “Mjafton leja e qëndrimit”
Bonus bebe. Gjykata: Edhe imigrantëve me lejeqëndrimi të vlefshëm për punë
K.B. / Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)