in

Unë, italian, përballë dyndjes shqiptare

Shpesh na qëllon të flasim me siguri për gjëra që njohim pak dhe të mbrojmë ide që më pas, me rastin më të parë konkret, bien poshtë. Për ne italianët, zbarkimi i shqiptarëve i filluar në vitet e para të nëntëdhjetës ka përfaqësuar një nga ato çaste kur njeriu është i detyruar të rishohë pozitat e tij.

Ishte 1991-shi kur me valë të ndryshme zbarkuan në brigjet puljeze, kryesisht në Bari, Brindisi e Otranto, rreth njëzetmijë refugjatë shqiptarë, që braktisnin tokën e tyre duke vënë në rrezik jetën, të shtyrë – mendoj – nga dëshira për një jetë ndryshe e më të mirë nga ajo që kishin pasur nën regjimin komunist të rrëzuar pak muaj më parë. Të tërhequr edhe nga propaganda e vendeve perëndimore dhe nga televizioni vezullues italian, valët e të cilit kapërcenin pa shumë problem Adriatikun dhe transmetonin në vendin përballë (në Shqipëri) imazhe që shpesh nuk përputheshin me realitetin.

Zbarkimet e para ishin ato të marsit, në Otranto e Brindisi, brenda pak ditëve arritën rreth njëzetmijë shqiptarë. Më pas, në gusht 1991, në Bari mbërritën me anijen Vlora rreth njëzet mijë burra, gra, fëmijë e pleq.

Këto qytete të Puglias i njoh mirë dhe i dua. Im atë ishte nga Brindisi dhe në atë qytet kam kaluar çdo vit, të paktën një javë të pushimeve verore. Aty banojnë akoma sot tri teze e shumë miq të mitë.

Edhe në vitin 1991 isha në Puglia, në Otranto, dhe kujtoj tre gjëra me saktësi të pabesueshme: ankthin që më zuri gjatë ditëve të grushtit të shtetit në BRSS kundër Gorbaçovit, që dukej sikur do të kthente mbrapsht akrepat e historisë; vështrimin e ri që i hidhnim detit të hapur, unë dhe miqtë e mi, të sigurt që herët a vonë do të na zinin sytë një gomone apo një karakatinë të mbushur me të shkretë të dëshpëruar; dhe helikopterët në fluturim që kontrollonin pa ndërprerje brigjet.

Kujtesa është padyshim përzgjedhëse, sepse edhe pse ç’thashë më lart e kujtoj si të kish ndodhur dje, nuk më ka mbetur asgjë nga diskutimet që me siguri do të kem bërë me tezen që ishte asokohe inspektore provinciale e Kryqit të Kuq në Brindisi dhe që organizoi shumë nga aksionet e ndihmave, siç dëshmojnë fotografi të ndryshme që kam parë së fundi.

Na ndryshuan, dhe shumë, ato zbarkime; detyruan shumë italianë të shihnin për herë të parë në fytyrë një realitet me të cilin mendonim se nuk do të kishim të bënim kurrë.

Deri atëherë, shumë prej nesh kishin menduar për mërgimin si për një dukuri me një kah të vetëm, në dalje. Ishim ne emigrantët, ata që nga Jugu i Italisë apo nga Veneto, shkonin të kërkonin fatin në Amerikën e Jugut dhe ShBA në fillimet e shekullit të shkuar dhe në Gjermani, Zvicër apo Belgjikë pas luftës së dytë botërore. Ishim ne ata që trajtoheshin si kafshë, që kriminalizoheshin për çdo gjë që ndodhte në vendet që na bujtnin. Ishim vendi i Saccos dhe Vanzattit, të ekzekutuar të pafajshëm në ShBA në vitin 1927, vetëm pse ishin anarkikë dhe mbi të gjitha italianë.

Deri atëherë emigracioni drejt Italisë nuk kishte parë shifra kaq të larta ndaj edhe me të drejtë mund të thoshim që ne nuk ishim racistë e ndoshta nuk do të kishim qenë kurrë.

Sigurisht disa ngjarje të mëparshme nuk ishin aspak inkurajuese: emigrimi i brendshëm, nga Jugu në Veri të vendit, kishte nxjerrë në dritë dukuri intolerance, praktikisht jo shumë të ndryshme nga racizmi: im atë kishte studiuar në Torino dhe i mbante mend mirë të shkruarat në vitrinat e lokaleve: “e ndaluar hyrja për qentë dhe meridionalët”.

Por na kishin thënë gjithnjë që ne ishim ata të mirët, ata që kur kishim pushtuar shtete si Eritrea e Somalia, ishim pritur ngrohtë e me buzëqeshje. Ishim ata që edhe gjatë fashizmit kishim mbrojtur çifutët. Këto gjepura na i kanë përsëritur kaq shpesh sa shumë prej nesh nuk e dinë që në Afrikë, gjatë njëzetvjeçarit fashist, të komanduar nga Rodolfo Graziani, një kriminel që nuk mund t’u kishte zili asgjë aleatëve nazistë, italianët kryen masakra të ndryshme, edhe me gaz. Shumë prej nesh harrojnë apo bëjnë sikur harrojnë, që në vitin 1938 hynë në fuqi ligjet raciale kundër komunitetit hebraik dhe që edhe në vendin tonë u ngritën kampe përqendrimi.

Jemi kaq të bindur që të gjithë na duan për karakterin tonë të mirë e butësinë e shpirtit, saqë edhe kur në Nassiriya rebelët irakianë na qëllojnë kundër, sepse jemi ushtri pushtuese, nuk kuptojmë tamam se si është e mundur të ndodhë një gjë e tillë.

Por ndodh një fakt i jashtëzakonshëm si ai i vitit 1991 dhe gjërat fillojnë e ndryshojnë, fillimisht në mënyrë thuajse të pakapshme dhe më pas, me kalimin e kohës, kur e jashtëzakonshmja kthehet në përditshmëri, në mënyrë gjithnjë e më të qartë.

Qytetarët puljezë u mobilizuan dhe shumë për të dhënë një dorë, në të ftohtin e marsit dhe të nxehtin përvëlues të gushtit. Ngritën qendra pritjeje, sollën ushqime dhe ujë, mbulesa për t’i mbrojtur nga shiu.

Por edhe gjendja e jashtëzakonshme bie për t’i lënë vendin administrimit të qëndrimit të emigrantëve. Dhe në këtë pikë, Shteti zhduket krejtësisht. Pasi u kishte besuar gjithçka institucioneve lokale, shoqatave të vullnetarëve dhe shtetasve të veçantë, ndërhyn për organizimin e riatdhesimit. Por shqiptarët nuk zhduken, sigurisht, shpërndahen në krahina të ndryshme italiane dhe në shtete të tjera, ndërsa zbarkimet do të vazhdojnë, duke arritur kulme në vitin ’97 me krizën ekonomike në Shqipëri dhe në vitin ’99 me rëndimin e krizës në Kosovë.

Një tjetër episod më ka mbetur i ngulitur në mendje, dhe jo vetëm në timen, besoj. Është përsëri mars, por jemi në vitin 1997. Nga Vlora niset një motovedetë ushtarake, Katër i Radës, me mëse 30 vjet lundrim e tashmë jashtë përdorimi; në bord ka familje të tëra shqiptare. Në Itali, prej një viti, është në qeveri qendra e majtë, që kishte marrë një vendim shumë të diskutueshëm edhe brenda vetë koalicionit qeverisës: të rreshtonte flotën përgjatë brigjeve për të luftuar zbarkimet. Më 28 mars, rreth orës 19.30 anija shqiptare përplaset me një italiane, që po tenton ta kthejë mbrapsht. Do të numërohen zyrtarisht 86 të vdekur, por për pesëdhjetë të mbijetuarit, me mbytjen e motovedetës humbën jetën të paktën 108 vetë.

Përveç tragjedisë në vetvete, disa gjëra do të mbeten të pashlyera në kujtesën e italianëve, në krye të të cilave, mungesa e autoriteteve të shtetit tonë: asnjë nuk do të duket në Brindisi, me përjashtim të kreut të opozitës, Silvio Berlusconit, i cili, me një aktorllëk nga ata të vetët, shkon në molin e Brindisit, qan përpara telekamerave, merr në shtëpi tre familje shqiptarësh, për të cilët nuk dihet se ç’bëri më pas.

Ishim në prag të operacionit ushtarak që do të çonte ushtrinë italiane në Shqipëri. Qeveria arrin një hap larg krizës, por më në fund misioni miratohet nga Parlamenti me votat e përbashkëta të të majtës e të të djathtës dhe me kundërshtimin e Rifondaziones.

Por italianët kanë ndryshuar: pritej të tmerroheshin të gjithë nga ngjarja në kanalin e Otrantos, por vendi, në rastin më të mirë, duket i hutuar. Jemi në prag të Pashkëve, shumë familje janë me pushime dhe gati-gati nuk kanë dëshirë të mendojnë për çka ndodhi në ujërat puljeze.

Por nuk është vetëm kaq: mund të jetë një koincidencë, por në vitin 1992, një vit pas zbarkimeve të para, panorama politike italiane mbizotërohet nga një forcë, Lega Nord, raciste e deklaruar, që arrin të ketë një numër të konsiderueshëm parlamentarësh me zgjedhjet e prillit.

Në rrugë, sapo ndodh diçka e bujshme, një krim veçanërisht i egër, duket sikur të gjithë italianëve u lind një lloj refleksi i kushtëzuar: nga një anë thonë: kanë qenë padyshim shqiptarë; nga ana tjetër mendohet apo thuhet nën zë: shpresojmë të mos kenë qenë shqiptarë. Dhe të them të vërtetën, nuk di cili prej dy qëndrimeve të jetë më i keqi. Padyshim, që të dy vënë në dukje një farë paragjykimi.

Në këtë kuadër, episodi më i bujshëm ndodhi në vitin 2001: në Novi Ligure, fshat piemontez, një çift të miturish vret nënën dhe vëllanë e vajzës. Kjo e fundit sapo merret në pyetje për ngjarjen, tregon mes lotëve që vrasësit ishin shqiptarë që kishin hyrë në shtëpi për të vjedhur. Mjafton kaq për të ndezur gjakrat në kërkim të kokës së njeriut, viktimë e të cilit po përfundonte një i ri shqiptar. Vetëm rrëfimi i dy adoleshentëve do të sjellë paksa qetësinë. Por ndërkohë, Italisë, që e ka mbajtur gjithnjë veten për një vend të qytetëruar, iu desh të ndiqte spektaklin e turpshëm të gjuetisë së njeriut të prirë nga politikanë lokalë dhe kombëtarë.

Në vitin 2002, Gian Antonio Stella ka shkruar një libër të mrekullueshëm, Hordhia. Nëntitulli është: kur shqiptarët ishim ne. Gjëja më tronditëse, mes të shumtave, janë kronikat e disa gazetave amerikane të fillimshekullit të shkuar. Po të ndërrohet “italian” me “shqiptar” dhe “mafia” me “kriminalitet”, mund të thuash i sigurt se janë shkruar në Itali gjatë dhjetë vjetëve të fundit.

Me një fjalë, kur italianët skandalizoheshin kur merrnin vesh sesi amerikanët apo francezët kishin trajtuar emigrantët e Italisë, nuk kishin reflektuar asnjëherë seriozisht mbi reagimet që do të mund të kishin vetë në situata të ngjashme. Mjaftuan pak vjet për të na vënë përballë një realiteti që do të kishim parapëlqyer të mos shihnim kurrë.

Por nuk besoj që situata është e pazgjidhshme. Do të duhet kohë, çështja e emigracionit është gjë serioze e nuk mjaftojnë parullat për t’i dhënë zgjidhje. Vitet e fundit po na tregojnë që situatat ndërkombëtare ndryshojnë me shpejtësi marramendëse. Në këtë çast, e vetmja gjë që më duket e padiskutueshme është mungesa e një klase drejtuese e aftë për të përballuar problemin në tërësi.

Massimo Canario

Dritan Çela, in memoriam

Anilda Ibrahimi rrëfen gruan shqiptare në Parma