Për herë të parë Shqipëria merr pjesë dhe vlerësohet në konkursin evropian “Europa Nostra”, kushtuar ruajtjes dhe restaurimit të trashëgimisë kulturore. Në listën e fituesve, të botuar në faqen zyrtare të konkursit është edhe kisha e Shën Gjergjit në Shipskë, pranë Korçës. Ajo është vlerësuar me çmimin për ruajtjen dhe restaurimin e kryer nën drejtimin e arkitektit Kliti Kallamata në periudhën 2004-2008. Restaurimi i kësaj kishe, i konsideruar nga specialistët si një ndër më të mirët e bërë në Shqipëri, jo vetëm që e shpëtoi atë nga rrënimi, por pati si objektiv kthimin e kishës së Shën Gjergjit në një pikë që të tërheqë turistë e vizitorë.
Takimi vjetor i konkursit “Europa Nostra”, që kryesohet nga Placido Domingo, do të zhvillohet në Amsterdam nga 8 deri më 11 qershor. Ndarja e 27 çmimeve është një prej çasteve kulturore më të rëndësishme dhe këtë vit do të zhvillohet më 10 qershor në Koncertgebau të Amsterdamit.