Letër në redaksi nga Gëzim Ismaili, Ancona
Historia ka filluar më 5 shtator 2007 kur ministria e punëve publike, transportit dhe telekomunikacionit bënte të ditur me anë të një komunikate marrëveshjen e ndërsjellë mes Shqipërisë dhe Italisë për konvertimin e patentave. Ky protokoll i përbashkët u nënshkrua më datë 4 shtator 2007 në drejtorinë e Motorizimit civil në Romë. Në këtë komunikatë thuhej se shqiptarët rezidentë në Itali mjafton të dorëzonin patentën shqiptare e automatikisht merrnin atë italianen të të njëjtës kategori. Dokumenti italian duhej tërhequr drejtpërdrejt në zyrat e Motorizimit civil pa asnjë lloj shpenzimi… etj. etj.
Kaluan muaj e gati harrova, kur papritur, nga fundi i tetorit 2008 dëgjova për herë të dytë për patentat tona. Rastisa me pushime në Shqipëri dhe pikërisht më 27 tetor 2008, pashë me kënaqësi në televizor ambasadorin italian Saba D’Elia kur nënshkroi marrëveshjen me ministrin tonë të Transporteve Sokol Olldashi. Më këmbë pas dy nënshkruesve rrinin ministri i Jashtëm italian Frattini dhe ai i yni Lulzim Basha. Përsëri Olldashi në një intervistë tha se konvertimi i patentave do të bëhet: “më jep shqiptaren të të jap italianen”.
Tani ia mora dorën hiles së nënshkrimit të marrëveshjeve: ato rikujtohen një herë në vit e po prisja të mbushej viti. Dhe vërtet, nuk kaloi as një vit dhe më 15 gusht 2009 plasi bomba: Nga sot patentat shqiptare njihen edhe në Itali”. Dha një lajm të shkurtër televizioni italian, iu bë jehonë e madhe në Shqipëri, aq sa Sokol Olldashi doli sërish në televizion e tha se tani do të bëhen me patenta italiane 500 mijë emigrantë shqiptarë në Itali.
Ne u turrëm te Zyrat e Motorizimit, morëm formularët dhe instruksionet dhe këtu na ngriu buzëqeshja në buzë. Në Motorizim na thanë që kush ka më shumë se 4 vjet rezidencë në Itali do t’u nënshtrohet provimeve të rishikimit të patentës, në teori dhe praktikë, dhe nëse nuk i marrin këto provime humbasin edhe patentën shqiptare si të paaftë*. Mos o zot, të jetë e vërtetë edhe kjo? Besoj se është një thashetheme ose ndoshta nuk kam kuptuar mirë unë atë italianen. Askund nuk është e shkruar një gjë e tillë, dhe kemi në dorë tri deklarata. Në deklaratën e parë, atë të Sokol Olldashit, thuhet ajo që na do edhe zemra: “Shkoni dorëzoni shqiptaren e merrni patentën italiane”. Nga ana tjetër, në të dytën, atë të nëpunëses Celentano të Motorizimit në Romë, thuhet që “nëse titullari i patentës shqiptare ka më shumë se katër vjet rezidencë, e konverton duke iu nënshtruar provimeve të rishikimit, por vetëm pasi është vërtetuar që nuk ka ngarë makinë për tre vjetët e fundit”; dhe në të tretën që morëm në Motorizim kur shkuam për konvertimin thuhet qartë dhe prerë: “Ata që janë rezidentë prej më pak se katër vjetësh në çastin e dorëzimit të dokumenteve, do të konvertojnë drejtpërdrejt patentën, të tjerët, me më shumë se 4 vjet rezidencë, duhet të bëjnë më parë provimet, teori e praktikë, në një shkollë guide”.
Edhe sikur 100 deklarata të bëjnë për shtypin ministrat tanë për të na treguar se sa e lehtë është sot për shqiptarët në Itali që të konvertojnë patentat shqiptare me ato italiane, mbetet fakti që patenta konvertohet nga Motorizimi italian që çdo shqiptari i tregon formularin dhe ligjin e shkruar, sipas të cilëve konvertimi nuk është “fushë me lule”.
Praktikisht ky ligj mund të jetë shumë i mirë për ata që do të vijnë në Itali, apo për ata që sapo kanë ardhur, por jo për ne që jetojmë këtej prej më shumë se katër vjet. Për ne mbaron me kaq historia e kësaj marrëveshjeje; na leverdis të përgatitemi t’u hyjmë kurseve për të marrë drejtpërdrejt patentën italiane pa u marrë me konvertimin që përveç provimeve ka nevojë edhe për një tufë dokumente. Patentën shqiptare, le ta mbajmë në xhep se nuk i dihet si i vjen terezia.
Po kush ka fatin e madh të fitojë nga kjo marrëveshje, përveç atyre që do të vijnë tani e tutje në Itali? Le të shohim statistikat e botuara periodikisht.
Sipas ministrisë italiane të Transporteve, në mars të vitit 2006 janë mëse 210 mijë shqiptarë që kanë marrë patentën italiane. Dhe meqë nuk kemi statistikë tjetër, është e pranueshme të mendojmë që edhe mijëra të tjerë e kanë marrë ndërkohë patentën italiane, pa pritur marrëveshjet e qeverive.
Sipas ISTAT-it, në fund të vitit 2006 kanë qenë 376 mijë shqiptarë, ndërsa në fillim të vitit 2009 rreth 450 mijë. Arsyet e shtimit të numrit të shqiptarëve janë kryesisht këto: e para, janë fëmijët që lindin këtu e që padyshim nuk kanë nevojë për patentë.
Arsyeja e dytë e ardhjeve janë bashkimet familjare, kryesisht të mitur (bijtë e emigrantëve), gra (bashkëshortet) dhe të moshuar (prindërit). Nga këta mund të jenë të interesuar për marrëveshjen vetëm gratë, pasi të miturit vijnë pa patentë, kurse të moshuarve, edhe nëse e kanë atë shqiptaren, shpesh nuk kanë ndërmend të ngasin makinë në Itali.
Ardhjet e tjera janë ato të studentëve, por edhe këta meqë vijnë kryesisht nga bankat e shkollave të mesme nuk kanë arritur të marrin patentë shqiptare.
Në vend të katërt të arsyeve të ardhjeve të shqiptarëve në Itali janë dekretet e flukseve. Të ardhurit me këto dekrete mund të jenë vërtet të interesuar për konvertimin e patentave shqiptare me ato italiane.
Sipas mendimit tim, po të heqësh rezidentët mbi katër vjet për të cilët është më mirë të kërkojnë drejtpërdrejt patentën italiane, ata që ndërkohë kanë marrë patentën italiane, fatlumët që mund të përfitojnë nga marrëveshja e konvertimit janë vërtet pak, disa qindra do të thosha. Natyrisht flas për shqiptarët që jetojnë në Itali, jo për ata që do të vijnë në të ardhmen.
Sikur llogaritjet e mia të jenë vërtet të sakta, del që kjo marrëveshje është donkishoteske. Vetëm Donkishoti mund të nxjerrë një ligj të tillë dhe vetëm Sanço Panço mund të duartrokasë për këtë mrekulli të zotërisë së tij.
Për ta mbyllur, meqë dora që nuk kafshohet puthet, më lejoni të falënderoj për marrëveshjen Frattinin dinak dhe Sokolin gojëtar. U shtoftë zoti ymrin për marrëveshje të tjera është më spektakolare.
Bota shqiptare 223 – 30 tetor 2009