in

Ilir Meta në Gjykatën e Lartë për korrupsion

Të martën Prokuroria e Përgjithshme i ka komunikuar  ish-zv. kryeministrit Ilir Meta akuzën e korrupsionit për video skandalin “Meta-Prifti”. Ajo ka mbyllur kështu hetimet e i ka dorëzuar dosjen për gjykim Gjykatës së Lartë. Kjo e fundit sot ka zgjedhur trupin gjykues

Tiranë 11 maj 2011 – Gjykata e Lartë caktoi sot trupin gjykues që do të shqyrtojë çështjen në ngarkim të ish zv/kryeministrit Ilir Meta, i cili akuzohet për veprën penale të korrupsionit. 
Gjykata e Lartë në një njoftim shtypi bëri të ditur sot se, “në këtë Gjykatë u hodh shorti për caktimin e trupës së gjyqtarëve që do të gjykojnë çështjen e regjistruar në Gjykatën e Lartë me kërkues Prokurorinë  e Përgjithshme, për procedim penal nr. 1 të vitit 2011 kundër Ilir Metës, Nr. Aktit- 8/11″. 
Trupi gjykues përbëhet nga relatori Ardian Dvorani dhe anëtaret Besnik  Imeraj, Arjana Fullani, Gani Dizdari dhe Guxim Zenelaj.

Prokuroria e Përgjithshme përfundoi hetimet dhe dorëzoi një ditë më parë për shqyrtim në Gjykatën e Lartë çështjen penale ndaj Metës me akuzën e Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë. Këtë vepër penale, sipas prokurorisë, tashmë i pandehuri Meta e ka konsumuar gjatë bisedës me ish-vartësin e tij, deputetin Dritan Prifti që mbante në mars të 2010 detyrën e Ministrit të Energjetikës.
Gjatë kësaj bisede, sipas akuzës, ish-zv/ kryeministri Meta “urdhëronte” vartësin e tij Prifti
të favorizonte një kompani private, duke i ofruar 700 mijë euro ose 7 % të aksioneve.
Biseda mes Priftit dhe Metës tashmë është zbardhur me ndihmën e ekspertit amerikan, i cili përveç se ka arritur në përfundim se videoja është origjinale dhe nuk ka ndërhyrje, ka bërë edhe zbardhjen e dhe qartësimin e zërit të dy bashkëbiseduesve.

Nëse nga gjykimi do të rezultojë fajtor, Ilir Meta rrezikon nga 1-5 vjet burg dhe gjobë deri në 2 milion lekë.

Shiko videon:

Raporti i plotë i OSBE/ODIHR

Aurela Gaçe nuk kalon në fazën finale të Eurovizion-it