Kuorumi kapërcehet bollshëm. Votojnë 56% e italianëve, brenda e jashtë Italisë. Mbi 94% e votuesve u përgjigjet PO katër çështjeve të hedhura në votë
Romë, 13 qershor 2011 – Referendumi, votimet për të cilin u mbyllën të hënën në orën 15.00 është i vlefshëm: për të kanë votuar mbi 50% e italianëve. Përtej edhe parashikimeve më optimiste dhe megjithë thirrjet e shumta të eksponentëve të mazhorancës dhe të qeverisë për ta bojkotuar, këto dy ditë kanë shkuar e votuar për katër çështjet e vëna në votë mbi 57% e italianëve, që bashkuar me votat e italianëve jashtë shtetit çojnë pjesëmarrjen e përgjithshme në 56%. Një rezultat i tillë pjesëmarrjeje në Itali mungonte prej 15 vjetësh, gjatë cilëve referendume të ndryshme nuk kanë arritur të kenë pjesëmarrjen e mjaftueshme (50%+1) për t’u quajtur të vlefshëm.
Këtë herë një rol të rëndësishëm në sigurimin e pjesëmarrjes së lartë ka pasur veprimtaria on-line e komiteteve për “PO”-në por padyshim edhe mbështetja e komiteteve nga forcat e opozitës. Ndërsa nga ana tjetër, forcat e mazhorancës nuk mbrojtën katër ligjet e vëna në diskutim në referendumin abrogativ, por u mjaftuan duke u kërkuar njerëzve të mos shkonin të votonin, të bindur që kuorumi nuk do të arrihej.
Me fitimin e përgjigjeve “PO” që kanë marrë mbi 94% të preferencave, italianët u thonë JO energjisë bërthamore, privatizimit të ujit dhe imunitetit penal të kryeministrit dhe ministrave të vendit.
Pas zgjedhjeve administrative të pak ditëve më parë, referendumi është një tjetër shuplakë për Silvio Berluskonin dhe qeverinë e shumicën e tij. Ai pranoi sot humbjen për të gjitha temat e referendumit të zhvilluar dje dhe sot, nga të cilat njëra (imuniteti) e prek drejtpërdrejt po të mbahen parasysh çështjet e ndryshme penale që rëndojnë mbi të.
“Duket se vullneti i italianëve është i qartë për të gjitha temat e këtij votimi”, deklaroi kryeministri në një komunikatë. Berluskoni pranoi se pjesëmarrja e madhe në referendum, me një kuotë 57 për qind, shumë më të lartë se kuorumi, (50%+1 votë), “tregon vullnetin e qytetarëve për të marrë pjesë në vendimet për të ardhmen tonë që nuk mund të shpërfillet”.
Lexo edhe: Gli albanesi d’Italia votano sì