I pranishëm edhe ministri i jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto
Romë, 20 qershor 2011 – Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian organizon sot në Luksemburg Forumin për Ballkanin Perëndimor.
Bashkëpunimi Rajonal dhe perspektiva Evropiane e Ballkanit Perëndimor do të jetë ndër temat kryesore që do të diskutohen në këtë Forum, ku pritet të marrin pjesë të gjithë ministrat e Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor si edhe Përfaqësuesja e BE-së për politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Catherine Ashton, e Komisari për Zgjerimin, Stefan Fule.
I pranishëm, edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto.
Në forum do të diskutohet veçanërisht për zgjedhjet lokale të 8 majit, që janë ndjekur nga afër. Javën e shkuar, përfaqësuesi i presidencës hungareze, Janosh Martoni tha se sot do t’i bëhet një tërheqje vëmendjeje Shqipërisë për të treguar në mënyrë miqësore se situata duhet të ndryshojë. “Mund të them se mesazhi kryesor për Shqipërinë do të jetë një paralajmërim miqësor për të ndryshuar kursin e zhvillimeve” ka thënë Martoni.
Sipas tij, “Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova, kanë probleme lidhur me avancimin e tyre drejt anëtarësimit në BE”.