Ekspozita “Alternative Tirana”, një prezantim me foto i transformimit në vite të kryeqytetit, u çel pasditen e të shtunës, 25 qershor, në Galerinë “Zeta” në Tiranë.
Tiranë, 27 qershor 2011 – Për ekspozitën e tyre të parë personale në Tiranë me titull “Tirana Alternative” grupi ndërkombëtar i artistëve Alterazioni Video (Milan/Berlin/NYC) paraqet një projekt të përbërë nga rreth 500 foto Polaroid, të realizuara nga artistët gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri në 2010. Ekspozita u çel pasditen e të shtunës, 25 qershor, në Galerinë “Zeta” në Tiranë, dhe to të qëndrojë hapur deri më 20 korrik.
Një mori fotosh të marra me një teknikë novatore na japin imazhe nga qytete, plazhe, pamje marramendëse, kampe pushimi, dasma, situata të përditshme apo dhe intime që tregojnë për njerëz dhe jetë, për planet e mëdha që ata kanë për të ardhmen e tyre përzier me gjurmë nga e kaluara. Të gjitha këto së bashku shpalosin një gjurmim origjinal të territorit dhe një portret të përzemërt të vendit, të parë përmes syve të vetë banorëve të tij.
Kuratorë të ekspozitës janë Claudia Zanfi, kritike arti italiane, drejtoreshë e aMAZElab, Milano, dhe Edi Muka, bashkëdrejtor dhe kurator i TICA – Instituti i Artit Bashkëkohor i Tiranës. Sipas kuratores Zanfi, ekspozita me fotografi tregon se si është transformuar Shqipëria, si është modernizuar ajo, por që tregohet përmes fotove të vjetra polaroid. E pyetur nga ATSH se si i duket sot Tirana sot, italiania Zanfi tha se shikon një qytet që ka dëshirën e madhe të transformimit dhe të modernizimit, që paraqet një kaos estetik, por me shumë dinamikë për zhvillim.
Në kuadër të kësaj ekspozite u zhvillua paraditen e të shtunës, pranë stadiumit “Qemal Stafa”, “Lavazh Special Parti”, një performancë dhe instalacion ku qytetarë të Tiranës sollën makinat e tyre, rreth 50 prej tyre, dhe morrën pjesë në një seksion kolektiv larjeje makinash falas.
Kjo ekspozitë është pjesë e projektit “Arcipelago Balkani”, që përveç Tiranës zhvillohet në Shkup dhe në Sarajevë për të pasqyruar transformimin e këtyre qyteteve në kohë.
Alterazioni Video është një grup artistësh i themeluar në Milano në 2003. Ky grup ka qenë i pranishëm në shumë ekspozita, përfshirë Bienalen e 52-të të Venecias, Manifesta 7 (Rovereto), Performa 09 (New York), Fondacioni Sandretto Re Rebaudengo (Torino) dhe Moderna Galerija (Ljubljana).