Në një intervistë të dhënë për të përditshmen Shekulli, historiani Pëllumb Xhufi vlerëson se me miratimin e ligjit për regjistrimin e popullsisë jemi në pikën fundore të një historie antikombëtare, ku protagonistë janë qarqet e nacionalizmit ekstrem grek, në pushtet e jashtë tij, dhe klasa politike e korruptuar, e pra e blerë, shqiptare.
Sipas Xhufit, “me miratimin e projektligjit në fjalë, deputetët faqezinj të kësaj mazhorance bashibozukësh realizuan edhe pikën e fundit të “paketës Micotaqis”. Për atë që nuk ka dijeni për të, po kujtojmë që “paketa Micotaqis” është një memorandum me gjashtë kërkesa, që ish-kryeministri grek Micotaqis ia vuri përpara politikës shqiptare qysh në vitin 1991. Në formë padurimi (ultimatumi) i njëjti Micotaqis i shpalli hapur kërkesat në fjalë në 13 korrik të vitit 1993, kur e pa që mandati i tij po përfundonte dhe politikanët “e rinj” e “demokratë” shqiptarë po vononin t’i përmbushnin ato. Në atë paketë, emërimi nga Athina i një prelati grek në krye të Kishës Autoqefale Shqiptare ishte pika e parë, kurse regjistrimi i popullsisë me vetëpërcaktim të kombësisë ishte pika e fundit. Kështu pra, jemi në pikën fundore të një historie antikombëtare, ku protagonistë janë qarqet e nacionalizmit ekstrem grek, në pushtet e jashtë tij, dhe klasa politike e korruptuar, e pra e blerë, shqiptare”. Dhe shpjegon menjëherë pse është kundër projektligjit të regjistrimit të popullsisë: “sepse është antikushtetues. Kushtetuta jonë e përcakton Shqipërinë vendin e gjithë qytetarëve të saj, pa dallim kombësie, feje, krahine, gjinie apo ideje. Pra ajo shpreh një vokacion krejtësisht evropian, të ngjashëm me kushtetutat e Anglisë, Francës, Gjermanisë, Belgjikës etj., vende në të cilat përcaktimi etnik apo fetar nuk e shoqëron individin në dokumentet, sondazhet apo regjistrimet, qofshin zyrtare apo jo-zyrtare”.
Historiani është i mendimit se ndryshimi i termit nga “regjistrim” në “census”, nuk është veçse një gjetje për t-u hedhur hi syve shqiptarëve: “Ministri Pollo ka thënë e çfarë nuk ka thënë në këta dy vjet lidhur me çështjen e regjistrimit. Fillimisht kur ishte i bindur se shqiptarët ishin vërtet budallenj, e thoshte hapur që regjistrimi me vetëpërcaktim të kombësisë do të na japë një pasqyrë të qartë të minoriteteve në Shqipëri e do na ndihmojë të përpunojmë politikat e duhura në drejtim të tyre. Me demek, në rast se banorët e fshatit N, diku nga malësia e Shkodrës, për një thes miell do deklaronin se nuk janë më shqiptarë, por grekë, qeveria e z. Pollo do vraponte të hapte shkollë greke në atë fshat, për të qenë në rregull me standardet e me konventat ndërkombëtare. Kështu, ne kontribuuesit shqiptarë, do paguanim nga xhepi ynë shkollën greke, tekstet, librat e gazetat për banorët e këtij fshati, duke imponuar me forcë helenizimin e tij. Dhe kjo, për hir të “formularit Pollo”. Tani që njerëzve u janë hapur sytë, z. Pollo kërkon t’i qetësojë ata duke u thënë me të qeshur: “por jo, mor burrë, ky nuk është një regjistrim, ky është një census, c-e-n-s-u-s, që mbledh të dhëna jo për të bërë politika, por thjesht për statistikë”! Kush dëshiron ta besojë, le ta besojë!”.
Lexo intervistën e plotë te gazeta Shekulli