Përpara pak ditësh Eliza Dushkut, aktores së njohur të Hollivudit, presidenti Bamir Topi i dorëzoi dekretin e dhënies së shtetësisë. Ndërsa në mbrëmjen e të hënës, si në një stafetë institucionale, kryeministri Sali Berisha organizoi një ceremoni të veçantë për t’i dhënë asaj pasaportën biometrike dhe letërnjoftimin shqiptar. Kryeministria, në një komunikatë për shtyp bën të ditur se pas ceremonisë së dorëzimit për dokumenteve shqiptarë, “biseda vazhdoi e ngrohtë rreth Shqipërisë, bukuritë e së cilës tërheqin çdo vit e më shumë vizitorë të huaj, zhvillimit të vendit dhe veçanërisht, turizmit. Zonja Dushku e njohu Kryeministrin me vizitat që ajo kishte zhvilluar në disa qytete të vendit, nga jugu në veri dhe impresionet e saj gjatë këtij udhëtimi, të cilin ajo e cilësoi mbresëlënës dhe që i mundësoi të njihej me natyrën, historinë, traditat, artin dhe kulturën shqiptare. Ajo shprehu entuziazmin që ndodhej në Shqipëri për një qëllim të tillë”.