in

Aksidenti i shqiptarit shpejton ligjin e ‘vrasjes rrugore’

Së shpejti në Itali do të aprovohet një ligj për dënimin e autorëve të të ashtëquajturave “vrasje rrugore”. Ky ligj, i propozuar edhe nga të afërmit e viktimave të aksidenteve rrugore, do të rreptësojë dënimet dhe, ndër të tjerat, do të parashikojë heqjen përjetë të patentës për personat që duke qenë në timon nën efektin e drogave ose të alkoolit, kanë shkaktuar vdekjen ose plagosjen e rëndë të dikujt.

Lajmi u dha nga ministri i punëve te brendshme Roberto Maroni gjate konferencës tradicionale për shtyp mbi sigurinë që mbahet çdo vit më 15 gusht. Prej kohësh shoqatat e të afërmve të viktimave të aksidenteve rrugore kanë kërkuar që kodi penal të parashikoje dënime për “piratët “ e rrugëve. Prandaj në Firenze, edhe me mbështetjen e kryebashkiakut Matteo Renzi, kishte filluar një mbledhje firmash për t’i paraqitur parlamentit propozimin për këtë ligj.

Por deklarata e Maronit, i mbështetur edhe nga ministri i Drejtësisë Francesco Nitto Palma, duket se do të shpejtojë procedurën për aprovimin e masave të rrepta. Aq më shumë në valën e revoltës që shkaktoi në opinionin publik rasti i shqiptarit Ilir Beti, i cili megjithëse shkaktoi vdekjen e katër personave, është nën hetim në kushte lirie. “Asnjë orë burg, deklarojnë të afërmit e viktimave. Në këtë masakër Italia është e padrejtë”.

Por prokurorja Sara Pozzetto që ndjek rastin, bën të ditur se nuk ekzistojnë kushtet për të mbajtur në gjendje burgimi 35 vjeçarin shqiptar, që pasi udhëtoi për 30 kilometra në krahun e kundërt të lëvizjes në autostradën A26, shkaktoi një masakër të vërtetë. E madje kur e kane ndaluar ka vazhduar të ngulë këmbë se po udhëtonte në krahun e duhur, pa treguar asnjë shqetësim apo pendim.

Konsulli francez i nderit në Genova Gérard Deiss ka deklaruar në një intervistë se “në Francë kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë, një i dehur me tregues alkooli në gjak tre herë më të lartë se ai i lejuar, një njeri që vret katër të rinj, përfundon në burg”.

Por përveç këtij rasti të fundit, ministri Maroni tha se futja e shkeljes penale të “vrasjes rrugore” është e diktuar edhe nga shifrat e përgjithshme: vetëm gjatë këtij viti ka patur 347 aksidente të këtij lloji, ku kanë gjetur vdekjen 55 persona, rreth 45 % më shumë se një vit më parë, dhe kanë mbetur të plagosur 418 të tjerë. Ideja e ministrave u mirëprit edhe nga Fondacioni Ania, për Sigurinë Rrugore. Sipas një anketimi të kryer nga ky fondacion çdo dhjetë italianë, shtatë deklarojnë se i thyejnë rregullat. Por nga ana tjetër 91% e të pyeturve e konsiderojnë të rëndë dhe të dënueshëm shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor.

Gara me Eliza Dushkun: Topi i jep shtetesine, Berisha pasaporten

Historia e harruar e anijes Vlora