Përshëndetje, kam nevojë për një informacion. Djali im ndjek Universitetin në Itali dhe ka një lejeqëndrim për studim. Për fat të keq, për shkak të problemeve të rënda shëndetësore, nuk ka pasur mundësi të japë provimet. Desha të di nëse ekziston mundësia që t’i rinovohet leja e qëndrimit.
Zgjedhjet e ligjvënësit
Leja e qëndrimit për studim i lëshohet shtetasit jo komunitar, që dëshiron të vijë në Itali për të ndjekur një kurs studimi.
Legjislatori, në rregullimin e hyrjes dhe qëndrimit të shtetasve të vendeve jo komunitarë në Itali, ka bërë një zgjedhje: ka kufizuar numrin maksimal të të huajve në vendin pritës, me qëllim që t’i sigurohen atyre kushte të përshtatshme jetese dhe pune, me pasojën e pashmangshme të kthimit në vendin e origjinës të atyre që nuk janë në rregull, si për sa i përket hyrjes ose lejeqëndrimit, ose në rast se mungojnë kushtet që kishin bërë të mundur dhënien e lejeqëndrimit, pra të atyre që leja e qëndrimit u ka skaduar dhe nuk mund të rinovohet më tej.
Diskrecioni administrativ
Mungesa e kushteve ose e parakushteve që justifikojnë qëndrimin e rregullt të të huajit në territorin italian, në shumicën e rasteve bën që të hidhet poshtë ose të hiqet automatikisht leja e qëndrimit. Por në raste të caktuara legjislatori i ka lënë një farë lirie administratës në vlerësimin dhe peshimin e fakteve apo elementeve të rinj që gjithsesi mund të lejojnë, madje edhe duke mos ekzistuar më disa kushte të caktuara, qëndrimin e të huajve në territorin italian.
Angazhimi dhe serioziteti i studentit të huaj
Në këto raste hyn edhe leja e qëndrimit për studim, në kuadrin e së cilës duhet të merret parasysh angazhimi dhe seriozitetit i studentit në ecurinë e kursit të studimit të zgjedhur. Qëllimi i kësaj leje, në fakt, është që i huaji të ketë mundësi për të përmirësuar nivelin e tij kulturor nëpërmjet pjesëmarrjes në kurse studimi, për të zgjeruar njohuritë e tij dhe për të përfunduar studimet me sukses në afatin kohor të përcaktuar.
Prandaj kur parashikon kushte të caktuara për rinovimin e lejeve të qëndrimit, legislatori është përpjekur të balancojë interesin e të huajit për të ndjekur formimin e tij në Itali, me atë të shtetit, për të shmangur rinovime të përsëritura të lejes, që nuk përputhen më synimin e lejeqëndrimit për arsye studimi.
Për të shmangur rinovime të përsëritura, legjislatori ka lejuar gjithashtu edhe konvertimin e lejes së qëndrimit për qëllime studimi, duke plotësuar kushtet për një leje qëndrimi të ndryshme.
Çfarë parashikon norma
Në rastin e kurseve universitare, legjislacioni parashikon marrjen me sukses të një numri minimal provimesh për çdo vit akademik. Në veçanti, Neni 46 i Rregullores së zbatimit të Dekretit të Presidentit 394 të vitit 1999 parashikon që leja e qëndrimit për arsye studimi i përtërihet studentit që në vitin e parë ka kaluar me sukses një provim dhe në vitet e mëpasshme të paktën dy provime. Për arsye të rënda shëndetësore ose të forcës madhore, të dokumentuara rregullisht, leja e qëndrimit mund të rinovohet edhe për studentët që kanë marrë vetëm një provim.
Gjithsesi lejeqëndrimet për studime nuk mund të lëshohet për më shumë se tre vjet pas kohëzgjatjes së kursit të studimeve.
Normativa dikton pra rregulla specifike mbi numrin e provimeve që duhen kaluar dhe mbi numrin e viteve përtej të cilëve leja nuk mund të rinovohet.
Është ama e vërtetë që në rast pengesash që nuk varen nga studenti, Administrata mund të bëjë vlerësime në bazë diskrecionale, dhe të gjykojë rrethanat për të rinovuar gjithsesi lejen e qëndrimit, në bazë të faktorëve favorizues, siç parashikohet nga Neni 5, paragrafi 5 i Tekstit Unik për Imigracionin.
Sentenca n. 5762 e 2011 e TAR LazioNë këtë kuadër, kohët e fundit është shprehur edhe Drejtësis Administrative (Sentenca n. 5762 të vitit 2011 e TAR Lazio). Gjyqtarët kanë theksuar se parashikimi i një numri minimal provimesh të marra është një kriter për parandalimin e përdorimit për arsye të rreme të një lejeqëndrimi, qëllimi i të cilës është pikërisht përfundimi i një kursi studimesh.
Por mund të ndodhë, që për shkaqe të forcës madhore, objektivisht studenti mund të pengohet në përmbushjen e kërkesës për numrin minimal të provimeve të dhëna (në rastin konkret të shqyrtuar nga gjykatësit bëhej fjalë për aksident rrugor).
Në një rast të tillë, në qoftë se pas kapërcimit të pengesës, studenti rifillon me sukses studimet, ky element duhet konsideruar si favorizues në rinovimin e lejes nga ana e Administratës, pikërisht sepse përveç se parashikohet në vija të përgjithshme nga dispozitat e Nenit 5 të Tekstit Unik për Imigracionin, plotëson qëllimin për të cilin është lëshuar lejeqëndrimi.
Avv. Andrea De Rossi