in

Saya: “Të dëbojmë të huajt e të konfiskojmë pronat e tyre”

Në programin e partisë nacionaliste italiane ndalimi i imigracionit dhe përzënia e të huajve që janë në Itali
PD: “Qeveria të ndërhyjë”
Genova e alarmuar për rekrutimin e “Legjionet e mbrojtjes së atdheut”, që sipas Gaetano Sayas do të mbahet në qytet më 24-25 shtator

Romë, 23 gusht 2011 – “Duam të pastrojmë Italinë”, proklamon në faqen e tij internet Gaetano Antonio Maria Saya, lideri i Partisë Nacionaliste Italiane, që ditët e shkuara ka nisur një fushatë për krijimin e “Legjioneve për sigurinë dhe mbrojtjen e atdheut”, në pritje të mitingut  që po organizon në Genova më 24 dhe 25 shtator.

Saya, që vitet e fundit ka zënë faqet e shtypit për ngritjen e një lloj policie paralele, fut edhe luftën kundër imigracionit mes pikave të programit të tij. “Të gjithë italianët e rinj, jo qytetarë, të klasifikuar kështu nga e drejta jonë kushtetuese duhet të largohen nga territori kombëtar” thotë mes të tjerash. Në shënjestrën e tij janë veçanërisht homoseksualët, komunistët, arixhinjtë, shqiptarët, marokenët dhe myslimanët.

Me një fytyrë që të kujton Augusto Pinochet, Charlie Chaplin apo rreshterin Garcia të Zorros, Saya shpjegon edhe që imigrantët duhet të largohen duke lënë gjithçka kanë këtu. “Pronat e tyre – siguron ai – do të sekuestrohen dhe do të merren nga shteti italian, pra do t-u besohen qytetarëve italianë”.

Këto koncepte janë theksuar edhe në programin e partisë Nacionaliste, në të cilin për më tepër premton “të pengojë çdo formë imigracioni të jo italianëve” dhe të “detyrojë të gjithë jo italianët të ardhur në Itali  pas 31 dhjetorit 1977 të largohen nga territori italian”.

Ndërkohë Emanuele Fiano, kryetar i forumit për Sigurinë dhe Mbrojtjen e Partisë Democratike, kërkon që qeveria të ndërhyjë sa më shpejt për të penguar përhapjen e ideve që nxisin urrejtjen raciale: “Idetë e tij janë emblematike të një kulture fashiste, të dhunshme dhe raciste”. Ministria për Shanset e Barabarta ka hapur një hetim mbi deklaratat e Sayas.

Ndërkaq Genova është e shqetësuar për atë që mund të ndodhë më 24 dhe 25 shtator kur, sipas lajmërimeve të botuara në facebook, Saya do të organizojë në qytet rekrutimin për “Legjionet e mbrojtjes së atdheut”, milicia që do të ketë në shënjestër mes të tjerësh edhe shqiptarët, marokenët, myslimanët, arixhinjtë por edhe komunistët e homoseksualët. Një miting i tillë konsiderohet një provokim i pastër nga qendrat sociale të qytetit ligur dhe nga shoqatat e shumta luftojnë racizmin e diskriminimin.

Tragjedi në Mercallo. Mbytet në pishinë shqiptarja 34 vjeçare

Vogëlushja kurohet në spitalin e Brescias, të ëmës i paraqitet llogaria