Përcaktohet numri maksimal i kuotave. Kërkesat në konsullata, por vetëm për kurse dhe stazhe të miratuara nga krahinat
Romë, 30 gusht 2011 – Dhjetëmijë të huaj do të mund të vijnë në Itali këtë vit për të marrë një profesion. Praktikisht për të ndjekur kurse formimi profesional apo stazhe formimi dhe orientimi. Kufiri maksimal i vizave të hyrjeve është përcaktuar nga një dekret fluksesh në miniaturë i miratuar më 11 korrik nga ministria e Punës dhe e Politikave Sociale dhe i botuar më 29 gusht në Gazetën Zyrtare.
Pesëmijë hyrje do të jenë për ata që marrin pjesë në kurse formimi, të organizuara nga ente të akredituara, që mund të zgjasin 2 vjet e që duhet të parashikojnë lëshimin e një kualifikimi apo të një dëshmie mbi kompetencat e fituara. Pesë mijë hyrjet e tjera do të jenë për ata që duan të bëjnë stazhe, që duhet të zhvillohen sipas një projekti të miratuar nga autoritetet kompetente, të ndryshme nga Krahina në Krahinë.
Të huajt që duan të përfitojnë nga ky dekret fluksesh duhet të paraqiten në konsullatën italiane në vendlindje ku, bashkë me kërkesën e vizës, ë dorëzojnë edhe dokumentacionin lidhur me kursin apo stazhin që do të ndjekin në Itali.
Kush vjen në Itali përmes këtij kanali ka të drejtën e një lejeje qëndrimi për studime që mund të konvertohet në leje për punë vetëm nga ata, që në fund të kursit apo të stazhit do të gjejnë një punëdhënës të gatshëm për ta punësuar, por sidoqoftë në brendësi të kuotave për konvertimet që qeveria përcakton me dekretet e zakonshme të flukseve.
Elvio Pasca