Massimo Voltolina ia del mbanë: përshkon me not kanalin e Otrantos dhe mbërrin në Orikum një ditë pasi është nisur nga Punta Palascia
Notari 43-vjeçar Massimo Voltolina arriti të përshkojë me not Kanalin e Otrantos duke fituar një sfidë që ndoshta do të mbetet në historinë e sportit. Ai u nis nga Punta Palascia në orën 14.26 të 4 shtatorit dhe mbërriti në Vlorë një ditë më pas, më 5 shtator, në orën 14.18; rreth 24 orë not në det të hapur.
Fillimisht ai notoi i qetë, por vështirësitë i hasi në 7-8 orët e fundit për shkak të kushteve të këqija të detit. Megjithatë ai arriti të përshkojë 85 kilometrat që ndajnë dy brigjet e Adriatikut.
Është llogaritur që gjatë notimit drejt Shqipërisë muskujt e shpatullave të Massimo Voltolinës janë kontraktuar mbi 100 mijë herë.
Evenimenti sportiv u promovua nga shoqata “Learn to be free” e Irene Pivettit. Për të pritur Voltolinën në portin turistik të Orikumit në Vlorë kishin dalë veç të tjerëve edhe, vetë Pivetti, zëvendësministri shqiptar i Turizmit dhe konsulli italian në Vlorë.
Voltolina është një prej protagonistëve italianë te sfidave ekstreme në not. Ne vitin 2006 ai ka përshkuar për 13 orë e një minutë Kanalin e la Manshit duke vendosur rekordin kombëtar. E ky i Kanalit të Otrantos është një tjetër rekord.
Një përpjekje të ngjashme bëri në gusht të vitit 1985 edhe Paolo Pinto, i cili u mposht nga kushtet e këqija të detit.
http://www.youtube.com/watch?v=TZx8xI7BvzQ