in

Frattini i premton homologut kosovar, Hoxhaj, mbështetjen e gjithanshme të Italisë

Ministri i jashtëm i Kosovës në vizitë në Itali, ka takuar homologun e tij italian Frattini. Ky i fundit, lidhur me marrëdhëniet Kosovë Serbi, ka theksuar: ”Sa më afër të jetë Serbia me Evropën, aq më të mëdha do të jenë mundësitë për Kosovën”

Ministrat Hoxhaj dhe Frattini
Romë, 7 shtator 2011 – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj në ditën e parë të vizitës së tij në Itali është pritur sot nga Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Italiane, Franco Frattini, i cili e ka siguruar se Italia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në të gjitha fushat.

Dy ministrat kanë diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh në fushën e ekonomisë, sigurisë, arsimit dhe kulturës.

Ministri Hoxhaj fillimisht ka falënderuar ministrin italian Frattini për mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Republikës së Kosovës në forcimin e shtetësisë dhe në perspektivën evropiane.  “Marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Italisë janë të shkëlqyeshme. Unë kam ftuar mikun tim që ta vizitojë Republikën e Kosovës dhe të nënshkruajmë disa marrëveshje, të cilat do të stimulojnë edhe më shumë bashkëpunimin mes dy vendeve dhe mes dy popujve”, ka thënë Ministri Hoxhaj, pas takimit.

Marrëveshjet që priten të nënshkruhen shumë shpejt ndërmjet Kosovës dhe Italisë janë ato për heqjen e taksave të dyfishta, për riatdhesim, për transport, në fushën e sigurisë, për transferim, ekstradim të personave dhe marrëveshjen për promovimin e investimeve. Ministri Hoxhaj po ashtu ka ftuar të gjithë biznesmenët italianë që të investojnë në Republikën e Kosovës.

Nga ana tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Franco Frattini ka mirëpritur ftesën që ia ka bërë Ministri Hoxhaj për ta vizituar Republikën e Kosovës. “Shumë shpejt bashkë me MPJ-në e Republikës së Kosovës do të organizojmë në dy qytete shumë të mëdha në Itali një prezantim të shtetit të Kosovës, të mundësive për investime etj. Unë po ashtu do të kërkoj nga ministrat kolegë në Itali që të përshpejtojnë procedurat, në mënyrë që sa më parë të nënshkruajmë disa marrëveshje shumë të rëndësishme për vendet tona”, ka thënë Frattini.

Duke folur për perspektivën evropiane të Ballkanit, dy ministrat janë pajtuar që Republika e Kosovës nuk duhet të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave.

“Jemi vendi i vetëm në Evropë që nuk kemi liberalizim të vizave dhe që nuk kemi marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian. Prandaj, sot kam kërkuar ndihmën e Ministrit Frattini dhe të Italisë që të ushtrojnë ndikimin e tyre në BE, në mënyrë që kosovarët të mos mbesin një popull i harruar”, ka shtuar Hoxhaj. Ndërsa, Ministri italian Franco Frattini ka siguruar Ministrin Hoxhaj se ai dhe Italia do të jenë avokatë shumë të fuqishëm në BE për perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës.

Në kontekstin e integrimit evropian të Kosovës, Franco Frattini ka shtuar edhe që ”Sa më afër të jetë Serbia me Evropën, aq më të mëdha janë mundësitë për Kosovën”. Duke sqaruar më tej: ”Mendimi ynë është që Serbia duhet ë inkurajohet më tej me dhënien e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE brenda këtij viti dhe më pas do të mund të nxitim Beogradin për më tepër ndërgjegjësim dhe përgjegjësi në veprimet e tij, rrjedhimisht Evropa do të mund të ndihmojë të dyja vendet”.

Lidhur me situatën në veri të Kosovës, “Evropa duhet të japë një kontribut më të ndjeshëm për dialog dhe për arritjen e një zgjidhjeje afatgjatë dhe të paanshme”, u shpreh me bindje ministri Frattini.

RAI: Sonte Xhilda Lapardhaja, nesër Kledi Kadiu

Ministrat e Jashtëm të Italisë dhe Greqisë, në Tiranë më 12 shtator