in

Pasaportat e vjetra janë të vlefshme deri në datën e shënuar në to

Jam emigrante në Itali (me kartë qëndrimi) dhe kam pasaportën e vjetër shqiptare që më skadon në vitin 2017. Dua të di a mund të vazhdoj ta mbaj, apo duhet të aplikoj sa më parë për të renë siç më thanë në telefon nga ambasada?

Romë 8 shtator 2011 – Pasaporta biometrike, të cilën po nxitojnë të gjithë të fusin në xhep, nuk është dokument i detyrueshëm në shumë raste. Për shembull, një shqiptar që ka letërnjoftimin elektronik, jeton në Shqipëri e nuk dëshiron (apo nuk ka mundësi) të përfitojë nga liberalizimi i vizave – i vlefshëm vetëm përmbajtësit e pasaportës biometrike – mund edhe të mos aplikojë për këtë dokument. Gjithashtu, duhet thënë që asnjë ligj deri më sot nuk ka nxjerrë jashtë përdorimit pasaportat e vjetra. Ato janë të vlefshme deri në datën e skadencës së tyre.

Promovimi që i është bërë pasaportave biometrike, natyrisht ka lënë gjithnjë mënjanë këto hollësi, duke këmbëngulur në rëndësinë e marrjes së dokumentit të ri, në sigurinë e lartë të tij, në mundësitë që ai të jep për të lëvizur në zonën Schengen. Asnjëherë nga ministria e Brendshme nuk është sqaruar qartë që gjithsesi ky dokument mund edhe të mos merret.

Çështja bëhet edhe më delikate për emigrantët. Përveç çmimit të lartë që duhet të paguajnë (108 euro), duhet të mendojnë edhe për përditësimin e të dhënave në dokumentin e qëndrimit i cili kushton mbi 70 euro të tjerë. Meqë problemi i “detyrimit” të aplikimit për pasaportën e re është ngritur disa herë nga lexues të shqiptariiitalise.com, rreth një muaj më parë telefonuam nga redaksia në zyrën konsullore të ambasadës sonë në Romë për të parë ç’përgjigje japin. Punonjësja ishte e prerë. Edhe pse i thamë qartë që pasaporta skadon pas disa vjetëve, u përgjigj qartë: “Duhet të aplikoni sa më shpejt pasi me pasaportat e vjetra nuk do të mund të udhëtoni më vitin e ardhshëm”.

Për të qenë të sigurt i kërkuam ambasadorit një prononcim mbi këtë çështje dhe ai na siguroi që deri më sot nuk ka asnjë ligj që të nxjerrë jashtë qarkullimit pasaportat e vjetra: ato janë të vlefshme deri në skadencën e tyre të natyrshme.

Sot provuam sërish të lidheshim me ambasadën, këtë radhë përgjigjja – që mbërriti pas shumë tentativave në celularin e vënë në dispozicion për informacionet mbi pasaportat – nuk ishte e prerë si në gusht. “Nuk kemi informacion të saktë për skadimin e pasaportave të vjetra. Flitet që do të dalin nga qarkullimi në fund të vitit, ndaj është mirë të nxitoni e ta bëni që tani aplikimin për të renë” kështu u përgjigj sot punonjësi.

Keti Biçoku

Lexo edhe: Histori e pasaportave shqiptare të tranzicionit

Medalje e argjendtë për vlera qytetare, Blerim Shkrepit

Cotonella: “Shqipëria, një zgjedhje për të siguruar të ardhmen”