I ftuar në emisionin televiziv “Opinion” në Tv Klan, Kryeministri Berisha komenton kabllogramet e Wikileaks, duke i likujduar ato si thashetheme që “nuk shprehin qëndrimin e qeverisë amerikane”
Tiranë, 9 shtator 2011 – Kryeministri Sali Berisha deklaroi mbrëmje e djeshme se nuk ka asnjë interes për kabllogramet e Wikileaks për Shqipërinë, pasi ato janë thjesht pasqyrë jo e plotë e shtypit shqiptar.
I ftuar në emisionin televiziv “Opinion” në Tv Klan, Berisha komentoi kabllogramet e Wikileaks duke thënë “është njëlloj si të futesh në panairin e plaçkave të vjedhura, pasi ato janë vjedhja më e madhe që i është bërë kodeve të dokumenteve të vendit më mik që ka Shqipëria. Sipas tij “t’i bësh ato objekt debati dhe diskutimesh është njëlloj si të futesh në një kazan thashethemesh”. Berisha tha se gazetat më të mira të botës, si të spektrit të majtë edhe të spektrit të djashtë, vendosën që të mos botojnë më asnjë prej këtyre dokumentave, sepse nuk ka asnjë kod moral që të merresh me to.
Por megjithatë nuk lë pa vazhduar komentimin e kabllogrameve që nuk e kanë kursyer Berishën, qeverinë e tij, marrëdhëniet me institucionet e pavarura, por edhe familjen e tij.
“Disa muaj më parë një mik i imi në një nga gazetat më të mëdha të botës, më informoi për raportet e Wikileaks për Shqipërinë, të cilat mund të m’i vinte në dispozicion, por unë i thashë se nuk kam asnjë interes për to. Ata që e njohin artin e politikës e dinë se qeveria amerikane, çdo qëndrim e shpreh me deklarata, me nota dhe mesazhe dhe si qeveria më e fuqishme në botë, nuk ka asnjë lloj kompleksi të shprehë qartësisht, në mënyrë të kristaltë qëndrimin e saj”, tha Berisha. Në këtë drejtim, ai theksoi se “qeveria amerikane gjatë këtyre 5 viteve ka shprehur në mënyrë të përsëritur dhe të qartë qëndrimin ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve duke u bërë promotori më kryesorë i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”.
“Pavarësisht nga Wikileaks, qeveria amerikane ka mbajtur qëndrimin më të shkëlqyer ndaj zgjedhjeve të 2009 dhe ka bërë përpjekjet më të mëdha për të ndihmuar Shqipërinë në çdo rrethanë. Ajo ka shprehur qëndrimin e vetë pa asnjë lloj hezitimi. Kjo është një çështje korrespondence mes qeverisë së SHBA-së dhe punonjësve të vetë, por se sa ndikojnë këto, ajo pasqyrohet në qëndrimet e SHBA-së, që kanë qenë të shkëlqyera me vendin tonë”, tha Berisha.
Duke e cilësuar personal qëndrimin e ish ambasadorit amerikan në Tiranë, John Withers, Berisha tha se e ka respektuar plotësisht atë si ambasador të SHBA-së, por në mënyrën më të qartë i ka shprehur atij, në prani të eprorëve të vetë, gjithçka që mendonte.
Berisha tha se përmbajtja e kabllogramit që përfshin djalin e tij në një bisedë telefonike me ish-Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, për çështjen e Gërdecit, është mohuar sot nga ky i fundit.
“Djali im më kërkoi që ti drejtohej drejtësisë për këtë çështje, por unë nuk e lejova pasi ky i përket fondit të Wikileaks dhe të bësh gjyqe duke marrë për bazë Wikileaks është qesharake”, tha Berisha. Ai theksoi se nuk mund ta përfillë Wikileaks, ashtu siç bëri kreu i PS-së, Edi Rama që u anëtarësua në partinë e Asange. Sipas Berishës, Rama u përpoq ta përdorte Wikileaks për luftë të brendshme në PS. “Ai shpalli 5 spiunë në PS, sepse kishin shprehur mendime në biseda me diplomatë amerikanë”, tha Berisha, ndërsa shtoi se asnjë anëtar i PD-së apo qeverisë, nuk është ndaluar të takohet me diplomatë të huaj.
Kryeministri pohoi gjithashtu se nuk ka ekzistuar kurrë ndonjë plan për të ushtruar presion mbi Presidentin e Republikës, për miratimin e ndonjë ligji. “Presidenti nuk ka pasur qoftë edhe presionin më të vogël për ndonjë akt të tij. Ai ka të gjitha kompetencat kushtetuese në vendimmarrjen e tij”, tha Berisha.
Kryeministri hodhi poshtë edhe të gjitha zërat për një ri-kandidim të tij për postin e Presidentit në 2012, duke theksuar se “pasioni im janë reformat”.