in

Nis viti i ri shkollor në Shqipëri. 650 mijë në bankat e shkollave

Sot nisi viti i ri shkollor për të gjithë ciklet parauniversitare. Rreth 650 mijë nxënës të arsimit parauniversitar do të ndjekin 35 javë mësimi që përbëjnë ciklin vjetor shkollor

Tiranë, 12 shtator 2012 – Sot nisi viti i ri shkollor për të gjithë ciklet parauniversitare. Rreth 650 mijë nxënës të arsimit parauniversitar do të ndjekin 35 javë mësimi që përbëjnë ciklin vjetor shkollor. Viti mësimor për shkollat 9-vjeçare do të përfundojë më 6 qershor 2012, ndërsa për nxënësit e arsimit të mesëm, viti shkollor mbaron më 13 qershor të 2012.

Atmosfera e fillimit të këtij viti shkollor ka përfshirë sot Tiranën, qytet me rreth 80 shkolla publike dhe pothuajse po aq private të arsimit parauniversitar. Rrugët janë të mbushura me nxënës dhe prindër. Qarkullimi rrugor është më i rënduar se zakonisht. Pavarësisht kësaj panorame, dita e parë e shkollës ishte një ditë e veçantë për 85 mijë nxënësit e kryeqytetit, sidomos për fëmijët që nisën klasën e parë.
Pas 15 vitesh zbatimi të Ligjit aktual për Arsimin Parauniversitar, këtë vit shkollor përfundon reforma e përmbajtjes së arsimit bazë. Mësuesit dhe pedagogët më të mirë janë angazhuar në grupet e punës për hartimin e planit mësimor dhe të programeve. Kjo reformë mbështetet në traditën e arsimit tonë kombëtar dhe në përvojën e vendeve më të suksesshme në fushën e arsimit. 
Në ciklin e mesëm arsimi profesional vijon të mbetet prioritet edhe në këtë vit shkollor, pasi ai nënkupton përshtatjen e përmbajtjes në funksion të kërkesave të ekonomisë dhe tregut të punës.
Ministri i Arsimit ka konfirmnuar se shkollat profesionale do të transformohen në qendra të hapura gjatë gjithë ditës dhe aty do të mësojnë jo vetëm nxënësit e rregullt, por edhe të rinj, të cilët, për shkaqe të ndryshme, kanë filluar të punojnë, si dhe të rriturit që dëshirojnë të formohen në një profesion. 
Këtë vit shkollor përfundojnë maturantet e parë që kanë studiuar me programin e ri të gjimnazit. Ajo vlerësohet se u ka ofruar nxënësve më shumë hapësirë për të zhvilluar prirjet e tyre. 
Viti shkollor përkon me veprimtaritë e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë kuadër, çdo shkollë do të zhvillojë një program të gjerë të veprimtarive shkollore dhe jashtëshkollore.       
Në veprimtarinë e shkollave tona, përparësi do t‘i jepet edhe programit “Për një mjedis të pastër”. Nxënësit dhe mësuesit do të udhëheqin veprimtaritë për ndërgjegjësimin e shoqërisë për një mjedis të pastër në çdo qytet dhe fshat të vendit. 

Presidenti i Republikës, Bamir Topi së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, u uroi sot një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor 2011-2012, të gjithë nxënësve e mësuesve shqiptarë në mbarë vendin, gjatë një vizite në shkollën e mesme të përgjithshme të kryeqytetit “Petro Nini Luarasi”.
“Unë dëshiroj që në këtë ditë të shënuar, nga ky ambient i bukur të uroj një vit të ri shkollor të mbarë për të gjithë nxënësit shqiptarë, kudo ata shkollohen, në qytete, apo në fshatra dhe jam i bindur që kjo ditë, sikurse dihet, mbart me vete jo vetëm emocionet, jo vetëm ankthin që natyrshëm të ofron sfida e arsimimit, por mbi të gjitha mbart me vete entuziazmin për të rifilluar, entuziazmin për të rifilluar një cikël arsimimi më cilësor, entuziazmin për të qenë konkurues në jetë, por mbi të gjitha entuziazmin për të qenë fitues”. 

Kryeministri Sali Berisha në ditën e parë të fillimit të vitit të ri shkollor u bëri apel prindërve shqiptarë që t’i adresojnë fëmijët e tyre në shkollat profesionale.
“Arsimi profesional përbën një nga problemet që duhen zgjidhur në arsimin shqiptar. Unë u bëj thirrje prindërve që t’i adresojnë fëmijët në shkollat e mesme profesionale dhe i garantoj ata se nuk do të kenë shmangie nga universitetet”,  deklaroi kryeministri Berisha në fjalën e mbajtur para nxënësve të shkollës së mesme profesionale “Hoteleri-Turizëm”.

Frattini e Lambrinidis: “Është koha për bashkim kombëtar drejt Europës”

Imigrantët, protagonistët e rinj të kinemasë italiane