Nga Altin Stafa, Bolonjë
Këtë ndoshta e dinë mirë ata që në 9 shtator 2011, në mes të Vlorës, hodhën në erë me gjithë makinë gjykatësin shqiptar Skerdilajd Konomi. Në qoshen tonë të Ballkanit, të ngjizur me luftëra, me plumba, me vdekje, me gjakmarrje kanunore, me dhunë të të gjitha llojeve, lajmi i një gjykatësi të masakruar vetëm tre ditë zgjat…E në këtë qoshen tonë të Ballkanit, ai njeriu i mirë, por i lodhur me shekuj rrëmuje gjaku, të thotë: “S’ke ç’bën! Kështu jemi ne… nuk ia vlen as të indinjohesh. Asgjë nuk ndryshon…“
Nuk ia vlen te indinjohesh, se asgjë nuk ndryshon?!!Po të paktën, ulërit! Ulërit deri në kupë të qiellit që të mbytësh ulërimën e tritolit! Ulërit, se po ta vranë ligjin, do të vazhdojmë ta tjerrim ekzistencën tonë ballkano-fisnore në një xhungël dhune barbarësh pa kokë e pa fund. Ulërit! Reago si bishë ndaj bishave, se në Ballkan pak tjetër paska mbetur. Nuk është njerëzore të mësohesh me vdekjen e dhunshme në mënyrë kaq fataliste.Është ballkanike, por nuk është njerëzore.
Vrasja e Skerdilajd Konomit nuk është thjesht krim ndaj një njeriu. Ajo është dhunë e krimit të organizuar ndaj shtetit, ndaj ligjit, ndaj shoqërisë civile.Madje është edhe më tepër. Skerdilajd Konomi i përket atij brezi që u lind në të shuar të viteve ’70 e që u zgjua i rritur pa bunker në kokë, atij brezi që e fitoi natyrshëm dimensionin civil të jetës. Ndryshe nga brezat që i paraprinë, ai brez vetëm sa e ceku shkrumbnajën sociale e shpirtëror të trashëguar. E ndjeu zjarrin, por nuk u dogj prej tij. Ai brez nuk u indoktrinua, nuk u fëlliq, nuk u deformua, nuk spiunoi për të mbijetuar, nuk e shiti shpirtin. Mbase nuk arriti ta bënte dot, sepse koha e fali ose ndoshta sepse fati e ruajti për një tjetër kohë.
Të lindurit në shtatëdhjetecanë patën fatin ta ruanin të lirë mendimin e tyre dhe patën mundësinë t‘a ngjyenin këtë mendim të lirë në lirinë qindravjeçare të botës së madhe. Për këtë arsye, është krejt natyrale shpresa se kthesa e vërtetë në botën shqiptare duhet të fillojë të vijë nga ky brez.
Tritoli i 9 shtatorit 2011 nuk hodhi në erë vetëm trupin e Skerdilajd Konomit. Ai tritol kërkoi të mbysë brezin e shpresës. Të tmerrojë shokët dhe kolegët e Skerdilajdit, por dhe të gjithë ata njerëz që e përbuzin atë llum të murrmë e me erë të keqe që kërkon të mbulojë shoqërinë shqiptare. Ajo vdekje shpërthyese kërkon të mbyllë gojën e atyre që nuk durojnë dot më të jetojnë në inercinë ballkano-fisnore. Skerdilajd Konomin mund ta kishin vrarë edhe me një plumb të vetëm. Por e shpërthyen me tritol, sepse deshën që vdekja e tij të dëgjohej larg, që tmerri të zhytej në çdo ëndërr a dëshirë shqiptare për normalitet.
Po kjo nuk durohet! Atëherë ulërini! Ulërini, se po ju vrasin djemtë më të mirë, po ju vrasin shpresën. Ulërini, se po pastrojnë mbi ju këpucët e fëlliqura me atë llumin e murrmë që mban erë të keqe. Në këto kohë krizash globale, bursash të lajthitura e politikanë që u ngjajnë bursave, në këto kohë fqinjësh që gjunjëzohen para botës por që nuk ta heqin litarin nga fyti, në këtë kohë kur asnjë katastrofë natyrore nuk ta prish më gjumin, sa mund të rezistojë tmerri i masakrimit me tritol të gjykatësit shqiptar Skerdilajd Konomi?
Në botën tonë, gjërat me të vërtetë të reja janë jashtëzakonisht të rralla …