in

Parlamenti Europian paralajmëron rrezikun e dështimit të BE-së

Kriza financiare e borxheve të disa vendeve anëtare, rrezikon të gjithë BE-në si entitet. E deklaron ministri polak i Financave, që shkon deri aty sa të parashikojë edhe kthimin e një konflikti në kontinent

Romë, 14 shtator 2011 – “Evropa është në rrezik”, deklaroi ministri polak i Financave Rostowski, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, në një fjalim me tone dramatike përpara Parlamentit Evropian në Strasburg. “Nëse zona euro çahet, Bashkimi Evropian nuk do të mund të mbijetojë më dhe do të kemi të gjitha pasojat që mund të imagjinohen”, shtoi ai. Ministri përmendi madje rrezikun e një konflikti të armatosur në Evropë nëse kriza e euros do të çojë në shpërbërjen e BE-së.

Më tej ai tregoi se ka biseduar me një mik bankier i cili i ka shprehur shqetësimin për një “luftë gjatë 10 viteve të ardhshme”. “Një luftë! Zonja dhe zotërinj, këto janë fjalët që ai përdori”, ngriti zërin Rostowski, duke shtuar se bashkëbiseduesi i tij ishte i shqetësuar dhe “kishte ndërmend të kërkonte kartën e gjelbër për fëmijët e tij për t’i dërguar në Shtetet e Bashkuara”. 
I pyetur lidhur me këto deklarata gjatë një konference shtypi menjëherë pas mbledhjes, ai bëri të ditur se “kishte dashur vetëm të theksonte karakterin serioz të situatës në mënyrë që zyrtarët të ndërgjegjësohen për gamën e krizës në zonën euro, që mund të çojë në situata të paimagjinueshme dhe në një rrezik shumë të madh”.

Presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso, u shpreh gjithashtu i shqetësuar. “Po përballemi me sfidën më të rëndë të këtij brezi, kjo është një luftë për të ardhmen politike të Evropës, për integrimin evropian si të tillë”, bëri të ditur ai përpara Parlamentit Evropian.
“Me kohë, zona euro duhet ta përshpejtojë integrimin e saj ekonomik”, deklaroi Barroso. “Një integrim i thelluar bën pjesë në zgjidhje, por ai nuk do të bëhet menjëherë”, shtoi shefi i ekzekutivit evropian.

Komisioneri i tij për Çështjet Ekonomike, Olli Rehn, paralajmëroi për rrezikun e një falimentimi ose të daljes nga zona euro të Greqisë, duke u shprehur se kjo do të kishte “pasoja dramatike” për vendin, Evropën dhe të gjithë botën. Komisioni përsëriti do të paraqesë së afërmi një studim lidhur me opsionet e mundshme për krijimin e euro-obligacioneve, një mekanizëm i dyanshëm i borxheve mes vendeve të zonës euro, i prezantuar nga promovuesit e tij si mjeti i vetëm për një zgjidhje të qëndrueshme të krizës së borxhit.

Euro-obligacionet kundërshtohen nga qeveria gjermane, e cila sheh në to një nxitje për tolerancë të tepruar) buxhetor. Franca nuk është kundër parimit, por e përjashton atë për momentin.
Barroso kritikoi tendencën aktuale të shteteve të mëdha me në krye Francën dhe Gjermaninë, se po përpiqen ta zgjidhin krizën e borxhit dhe të reformojnë qeverisjen e zonës euro mes tyre, duke ruajtur mekanizmat vendimmarrëse dhe duke përfshirë sa më pak që të jetë e mundur Komisionin dhe Parlamentin Evropian.

“Rikombëtarizimi i vendimeve të zonës euro nuk është metodë e mirë”, u shpreh ai. “Vetëm metoda komunitare, do të bëjë të mundur zgjidhjen e problemeve për ta”.

Gjirokastër. Në nëntëvjeçare do të mësohet edhe gjuha italiane krahas shqipes

Bie numri i lindjeve, të gjithë “fajin” e kanë italianët