in

Xhufi: “Nëse Topalli do të kish lexuar raportet e ambasadës, do të refuzonte takimin me Pivettin”

Në një intervistë për të përditshmen Shekulli lidhur me kabllogramet e Ambasadës Amerikane në Tiranë (të botuara së fundi nga Wikileaks) historiani dhe ish ambasadori në Romë, Pëllumb Xhufi, thotë se kabllogramet mes ambasadave dhe qeverive përkatëse hyjnë në punën rutinë të stafit diplomatik, të vlefshme të mësuar sa më shumë e ma nga afër për partnerët ndërkombëtarë. Xhufi shpjegon se gjithsesi, kabllogramet nuk janë veçse maja e ajsbergut: “Gjithsesi, mos të harrojmë se jemi në nivelin e kabllogrameve me një nivel sekretimi modest. Imagjinoni se ç’mund të thuhet në informacionet “top sekret” që Ambasada e SHBA, ashtu si çdo ambasadë tjetër, i dërgon në qendër me “valixhe diplomatike”, ashtu si në fillimet e artit të diplomacisë”.

Por informacionet që ambasadat shqiptare i dërgojnë qendrës, sipas Xhufit nuk vlerësohensiç duhet nga qeveria shqiptare. Kështu për shembull, duke komentuar pritjen e ngrohtë që iu bë ish kryetares së Dhomës së Deputetëve, Irene Pivettit në Shqipëri. “Sikur zonja Topalli të kishte lexuar raportet e ambasadorëve shqiptarë në Romë, në vitet 1991-1992, ajo do të kishte gjetur arsye të bollshme për ta refuzuar qoftë edhe me elegancë takimin e saj me zonjën Irene Pivetti, ish-kryetare e Parlamentit italian në ato vite. Do kishte bërë diçka të ngjashme me atë që bëri ajo gruaja shpirtvrarë nga Vlora e shoqatës së viktimave të Otrantos, e cila refuzoi t’i zgjasë dorën e t’i urojë mirëseardhjen ish-kryeparlamentares italiane, përfaqësuese e partisë racisto-ksenofobe “Lega Nord”, e cila në qershor 1991 bënte thirrje publike për t’i mbytur në det e për t’i goditur me top anijet me refugjatë nga Shqipëria. Në rolin e kryetares së Parlamentit italian, zonja Pivetti na ka bërë gjëmën. Zonja Topalli duhet ta kuptojë se për ne shqiptarët ky është profili publik i zonjës Pivetti, dhe jo ai i moderatores së emisionit televiziv “Bisturi”, që kjo drejtoi për disa vjet pas largimit nga politika, dhe ku bëhej fjalë, siç kuptohet, për “ribërje” gjoksi, buzësh e të ndenjurash”.

Po ashtu, ish ambasadori shqiptar në Romë, Xhufi, shpreh shqetësim për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë: “mund ta quanim të paqme punën e një ambasade shqiptare, le të marrim si shembull atë të Athinës, në rast se me zgjedhjen e z. Samaras si kryetar i Partisë “Nea Demokracia”, këtu e dy vjet më parë, kjo ambasadë mos ta informonte Ministrinë e saj të Jashtme në Tiranë mbi të kaluarën politike të z. Samaras, mbi precedentët negativë të tij në marrëdhëniet me Shqipërinë e me vende të tjera të rajonit në kohën kur ishte ministër i Jashtëm i Greqisë, e më vonë drejtues i një partie me prirje ekstreme nacionaliste, mbi mbështetjet, miqësitë e deri mbi dobësitë e tij eventuale njerëzore. Z. Samaras nesër do jetë me siguri kryeministri i Greqisë, dhe homologu i tij shqiptar, Berisha apo Berishçka e radhës, duhet ta dijë se nuk ka të bëjë me një engjëll të virgjër, që i ka për “sefte” punët me Shqipërinë. Nëse z. Basha, si ish-ministër i Jashtëm, do të kishte hapur dosjet me raportet e ambasadorëve tanë në Athinë, ato të viteve 1990, do të kishte kuptuar se zonja Bakojanis erdhi në Tiranë në vitin 2008 jo thjesht për t’u puthur me të, por për të realizuar disa porosi që ia ka lënë amanet babai i saj, ish-kryeministri Micotaqis, dhe për të cilat ambasadorët e Shqipërisë në Athinë kanë përcjellë atë kohë informacione të bollshme”.

Ai flet në veçanti edhe për kabllogramet lidhur me “ujdinë e pistë të detit”, siç e quan ai. “Ka një detaj të zbuluar nga kabllogramet e Ambasadës së SHBA në Tiranë, dhe për të cilat asnjë “pasqyrë e shtypit shqiptar” nuk ka bërë fjalë. I referohem ujdisë së pistë të qeverisë shqiptare me qeverinë greke, për ta mbajtur marrëveshjen e kufirit detar të fshehur jo vetëm nga opinioni shqiptar, por edhe nga SHBA, e cila nuk duhej të vihej në dijeni për sa do të diskutohej e do të vendosej mes dy mëkatarëve”.

Dhe vazhdon më tej: “ShBA i kanë bërë thirrje të përsëritura klasës politike shqiptare, që të marrë një “qasje patriotike” në ushtrimin e misionit të saj. Tashmë gjithkush e di që kjo e fundit ka bërë pikërisht të kundërtën. Përveçse ka vënë në pikëpyetje serioze prioritetin e integrimit, qeveria aktuale, në radhë të parë, ka arritur të shesë interesa jetike kombëtare. Marrëveshja e turpshme e detit me Greqinë çon më tej veprën mizore të armiqve historikë të Shqipërisë, të cilët kanë dashur gjithnjë asgjësimin, apo më së paku, copëtimin e reduktimin e territorit e të kombit shqiptar. Me realizimin e regjistrimit të pasurive e të popullsisë, sipas matricës së ardhur nga Athina, qeveria Berisha po hedh një hap të rrezikshëm drejt kthimit të pamerituar të vendit tonë në një vend “multietnik”, drejt ringjalljes së risentimenteve me bazë etnike e fetare, me synim final libanizimin e Shqipërisë.  Deri tani, pushtetarët janë munduar ta nanurisin opinionin publik, duke i paraqitur si marrëveshjen për ndarjen e detit me Greqinë, ashtu edhe regjistrimin me deklarim të besimit dhe vetëpërcaktim të kombësisë, si “detyrime” që rrjedhin nga procesi i integrimit në BE e në NATO, apo si “standarde” të aplikuara nga gjithë demokracitë moderne. Është pikërisht e kundërta: marrëveshjet e regjistrimet në fjalë bien ndesh me vlerat e standardet evropiane si dhe me ligjin kombëtar dhe atë ndërkombëtar, dhe mu për këtë arsye  kanë shqetësuar partnerët tanë, të cilët shohin qartë tek lëshimet e paprincipta të politikanëve të korruptuar shqiptarë farët e armiqësive e konflikteve të ardhshme në Shqipëri e në Ballkan. Këtu e ka bazën, mendoj unë, edhe shqetësimi i shprehur nga kabllogramet amerikane lidhur me dy “xhevahiret” e fundit të qeverisë Berisha”.

Lexo intervistën të plotë dhënë të përditshmes Shekulli

 

Bie numri i lindjeve, të gjithë “fajin” e kanë italianët

Nga aksidenti në punë në arrestim. Historia e shqiptarit pa dokumente