in

Deri tetë vjet burg për kaporalët, shfrytëzuesit modernë të punës

Një nen i manovrës ekonomike ka futur në kodin penal krimin e “ndërmjetësimit të paligjshëm dhe të shfrytëzimit të punës” që godet kaporalët. Por nga ana tjetër nuk bëhet asgjë për të mbrojtur klandestinët që shfrytëzohen prej tyre

Romë 20 shtator 2011 – Luftë e ashpër “kaporalëve”, siç quhen në Itali personat që rekrutojnë punonjës për t’i shfrytëzuar, shpesh me kërcënime dhe dhunë, në bujqësi apo kantieret e ndërtimit. Mes të tjerash, një nen i manovrës ekonomike të miratuar në Parlament ka futur në kodin penal krimin e “ndërmjetësimit të paligjshëm dhe të shfrytëzimit të punës”.

Mes shembujve të shfrytëzimit, janë pagat shumë më të ulëta se minimumet e parashikuara nga kontratat kolektive, shkeljet e normave mbi orarin e punës, mbi pushimet, lejet e lindjes, sigurinë e higjienën apo kushtet e punës. Fajtorët do të rrezikojnë deri në tetë vjet burg dhe një gjobë nga dymijë euro për çdo punonjës të rekrutuar.

Por ligji i ri nuk ndërhyn në pikën kyçe të problemit. Viktimat e kaporalëve janë shpesh klandestinë dhe është e vështirë të mendohet që këta të padisin shfrytëzuesit sepse rrezikojnë dëbimin. Gjatë diskutimit të ligjit në parlament qeveria premtoi se do të kërkojë zgjidhje për të lejuar qëndrimin në Itali të atyre që denoncojnë. Duhet pritur e duhet parë se kur dhe si do të mbajë premtimin.

25 vjet burg, vrasësit të Eduart Peçajt

Aksident në punë. Vdes pas një jave agoni 24-vjeçari Haliti