Nga shtypi italian. Botojmë në shqip një reportazh të të përditshmes Corriere della Sera të botuar më 25 shtator
Nga viti 1991 deri më sot janë 10 mijë viktimat e hakmarrjeve mes fiseve në Shqipëri. Pas rënies së diktaturës së Enver Hoxhës, në malet eVeriut është kthyer në fuqi Kanuni, kodi antik që parashikon gjakmarrjen
Dy vëllezër 17 dhe 15 vjeç, Darjan dhe Vladimir (emra të rremë pas të cilëve fshihen njerëz të vërtetë) kanë kaluar fëmijërinë dhe adoleshencën të mbyllur në shtëpi nga ku nuk kanë dalë kurrë as për të shkuar në shkollë. Në izolim, total, gati çnjerëzor, pjesërisht për shkak të vendimit të prindërve për të kursyer fëmijët e tyre nga kontakti i parakohshëm me botën e të rriturve, një komunitet veçanërisht grindavec dhe i dhunshme.
Por ky nuk është rast i izoluar. Në këto vitet e fundit është bërë më i shpeshtë emigrimi i malësorëve shqiptarë, të cilët kanë braktisur shtëpitë, stallat dhe plevicat e lartësive veriore, e kanë zbritur në lugina në kërkim të punës dhe të paqes. Mbi të gjitha,të paqes. Sepse atje lart jeta nuk është idilike. I gjithë territori është i përshkuar nga hakmarrjet e përgjakshme 20 mijë familjeve – njëra kundër tjetrës të armatosura – që nga viti 1991 deri tani kanë shkaktuar vdekjen e rreth 10 mijë personave dhe kanë penguar më shumë se një mijë fëmijë mësojnë alfabetin.
Masakra filloi në një natë vere të vitit dymijë në një fshat malor me një përleshje në një tavernë kur, sipas dëshmisë së një gazetari britanik, një i dehur – një farë Pëllumb Morevataj – shtiu me revole dhe vrau një shok qejfesh që i kishte fyer familjen. Në vitet e mëpasshme një sërë hakmarrjesh dhe kundër hakmarrjesh çuan në viktima të tjera, duke përfshirë edhe vetë Pëllumbin dhe vëllezërit e tij sepse është e shkruar në Kanun (kodi i vitit 1400 që mbulon dhe rregullon në Shqipëri të gjitha aspektet e jetesës) “gjaku duhet të paguhet me gjak. “
Edhe në kopjet më të fundit të librit, i cili u shfaq në fillim të shekullit të njëzetë, Kanuni mbështet nevojën për të ruajtur traditën e gjakmarrjes, ndërsa në të njëjtën kohë përkrahet çdo përpjekje për pajtim kombëtar, proces që i është besuar të ashtëquajturve Ndërmjetës. Detyra e tyre është të nxisë e të fillojë një qasje paqësore mes dy partive nëpërmjet “ritualeve – shkruan një gazetë me ironi makabër – ku pihen gota rakie, të përziera me gjakun e njërës e tjetrës palë”.
Një nga këta ndërmjetës, Aleksandër Kola, është marrë me një rast që nuk sillte hakmarrje vdekjeprurëse: vrasjen e një akullorexhiu që nuk i kishte shitur akullore një fëmije. “Për fat të mirë – thotë ai – këto ngjarje barbare janë në rënie. Sot flitet më pas për gjakmarrje dhe goxha më shumë për pajtim. Njerëzit duhet t’i kthehen frymës së Kanunit, i cili vjen nga zemra dhe përhapet veçanërisht në krahinën tonë : për ne kush vret një tjetër, vret veten e tij. Gjatë viteve të diktaturës, nuk ka pasur viktima, sepse Hoxha e kishte ndaluar traditën e hakmarrjes, e cila ka rilindur, por më e zbutur, pas vdekjes së tij. “
Para hotelit tim në qendër të qytetit, ngrihet kubeja e një xhamie, ndërsa vetëm përtej, rreth një kilometër larg, dallohet kambanorja e një kishe katolike: dhe kështu, i sapo zgjuar, mund të dëgjosh njëkohësisht këngën e hoxhës dhe tingëllimin e këmbanave, dy gjuhë që nuk arrijnë kurrë të shkrihen me njëra-tjetrën. “Në fakt, – thotë Kola – në vend ka një harmoni të mirë në marrëdhëniet midis të krishterëve dhe myslimanëve.”
Ndëshkimet, persekutimet dhe hakmarrjet nuk i vuajnë vetëm autorët e krimit, por, nëse ka, edhe të afërmit meshkuj të familjes që konsiderohet përgjegjëse: siç i ka ndodhur Samir Zizo, vëllai i Shpëtimit, i dënuar me burgim të përjetshëm për përdhunimin dhe vrasjen e një vajzë 10 vjeçare. Ai kalon ditët e tij në një fabrikë të vjetër sovjetike në Tiranë, prej kohësh e nxjerrë nga puna. Vetëm, me depresion, me trurin dhe stomakun që punojnë tani me ritme të ulura, ai rrëfen se do pranonte më mirë të ishte i mbyllur në burg si Samiri : por kërkesa e tij për falje, ose të paktën, për ndryshim e reduktim të dënimit është hedhur poshtë me ftohtësi nga e familjes të viktimës.
Drama e vëllezërve Darjan dhe Vladimir, të mbyllur në shtëpi dhe ngjitur tek televizori nga mëngjesi në mbrëmje, është e ngjashme në Shqipëri me atë të legjioneve të nxënësve dhe të studentëve të cilët vuajnë për të arritur marrjen e një dëftese të thjeshtë, për të mos përmendur diplomën e mesme ose të shkollës së lartë. Kjo del nga biseda me zëvendësdrejtorin e shkollës së Bardhaj, Leke Pjetri, i cili ka kushtuar mësimdhënies në fillore dhe tetëvjeçare pjesën më të madhe të jetës së tij.: “Ka shumë familje që nuk i dërgojnë fëmijët në shkollë – fillon ai tregimin – nga frika se sulmohen ose rrëmbehen nga njerëzit e klaneve më të dhunshme. Si rezultat, ministria ka vendosur që i takon mësuesve të shkojnë nëpër shtëpitë e tyre. Kjo është ajo që unë vetë e bëj falas, bashkë me gruan dhe vajzën time, si dhe me mësues të tjerë. Me nxënësit nuk flasim kurrë për fenomenin e gjakmarrjes. Kjo është një gjë monstruoze dhe nuk do ta kuptonin”. Nuk çudit që në muret e zhveshura të klasës është shkruar me germa të mëdha mesazhi që Pjetri i ka dhënë 15 nxënësve të tij, në mënyrë që ata t’ua transmetojnë prindërve, të mbytur nga indiferenca: “Po jetës, jo hakmarrjes”
Një mesazh që e ndjen të vibrojë me intensitet në një shtëpizë të Tropojës, një fshat malor ku arrihet pas gjashtë orësh me makinë përgjatë një rruge shumë të vështirë, gjithë gurë dhe kthesa. Na pret Sokoli, një plak 78-vjeçar, i gjatë dhe pak i kërrusur, një shuk flokësh të thinjur, pizhamet me vija, buzëqeshja dhe e folura e një njeriu që nuk ka jetuar më kot. “Më kanë vrarë babain kur isha dy vjeç e gjysmë – thotë ai – një përvojë që ka plagosur për vdekje fëmijërinë time, por në të njëjtën kohë më ka pasuruar shpirtin. Isha ende adoleshent, kur vendosa të angazhohem në luftën për frenimin e ciklonit të gjakmarrjes, duke u bërë një prej Ndërmjetësve. Një tjetër vuajtje e madhe ama do të turbullonte jetën time : kur më vranë djalin, diçka mizore që e kam të vështirë ta fal, megjithë angazhimin tim në procesin e pajtimit. Por jo pak familje ma kanë mbyllur derën. Falë edhe bashkëpunimit të priftit dhe hoxhës, pra të katolikëve dhe të muslimanëve, ndonjëherë kam arritur të rregulloj takime mes familjeve haptazi armike me njëra-tjetrën, t’i ul në të njëjtën tryezë dhe ku kanë ngrënë bukën e faljes. “
Sa i përket Enver Hoxhës, opinioni është i qartë dhe therës: “Gjatë “mbretërimit të tij “- deklaron Sokoli – ndërsa Kanuni dhe Bibla u ndaluan, qe i vetmi diktator që shtypi traditën e gjakmarrjes dhe hakmarrjeve. Nuk ka bërë asgjë tjetër pozitive, me sa di unë”. Do t’i takojë historianëve të ndërhyjnë në vlerësimin e mandatit të tij : por fakti që trupi i tij është hequr nga varrezat e heronjve dhe është rivarrosur në një varrezë të zakonshme, nxit ndonjë sugjerim. Sokoli më tregon me një foto me përkushtim të Nënë Terezës së Kalkutës, me një buzëqeshje krenarie dhe nderimi, sikur dëshiron të theksojë se heroizmi dhe shenjtëria janë një mall shumë i rrallë.
Se si zoti i hakmarrjes, u përplas në mes të ditës mbi një burrë fare të huaj për gjakmarrjet, pastori evangjelist me emrin Tani, 34 vjeç, na shpjegohet nga gruaja e tij tridhjetëvjeçare Elona. E takojmë në selinë e bashkësisë fetare e burrit saj të vdekur: “Përpara tre vjetësh – tregon – xhaxhai i tim shoqi vrau një njeri. Nga ajo kohë të gjithë të afërmit e tij – 24 persona – përfshirë dhe fëmijët meshkuj u zhdukën nga qarkullimi dhe për 6 muaj u strehuan në një vend të fshehtë. Tani ka qenë i angazhuar prej kohësh në luftën kundër gjakmarrjes, një lëvizje që kishte si parrullë Fjala e Krishtit”. I kthyer nga Anglia pas nja dy muajsh (kishte planifikuar për të qëndruar atje tre vjet) Tani vendosi të dalë hapur për të vazhduar betejën e tij kundër gjakmarrjeve, të cilat për qeverinë shqiptare “nuk ekzistonin.” “Atë mëngjes – vazhdon e veja – kishte dalë nga godina e Kongregacionit për të marrë fëmijët nga shkolla me makinë. E vranë në qendër të Shkodrës”. Vazhdimi i historisë ka një kthesë më pak brutale. “Tani – tregon Elona – kishte folur me të vëllanë dhe i kishte dhënë shprehimisht porosi :”Në qoftë se më vrasin, nuk dua të ma merrni hakun. E qartë?”. Dhe tri ditë pas vrasjes, vëllai e mbajti premtimin e deklaroi solemnisht se ai nuk do të hakmerrej. Vrasësi u dënua me 16 vjet burgim, por njerëzit ende mbajnë në zemër mesazhin e tim shoqi, që i nxit të heqin dorë nga hakmarrja”.
I shpëtojnë çdo verifikimi të dhënat dhe numri i familjeve të përfshira ende në gjakmarrje. Në Shqipëri ato janë mbi 3 mijë, por Aleksandër Kola e ul totale në 1.400. Në Shkodër, sipas mendimit të Simonit që kryeson bashkësinë familjare-shtëpia e Papa Gjon XXIII, ka rreth gjashtëdhjetë familje mbi të cilat rëndojnë ende kërcënimet për hakmarrje, edhe pse për kryebashkiakun e qytetit “është një problem për të cilin nuk duhet folur sepse nuk ekziston”.
Për Luigi Mila – sekretar i përgjithshëm i Komisionit për Drejtësi dhe Paqe shqiptare – “gjakmarrja janë një fenomen tipik i shoqërive ku ligji nuk është mjaft i fortë dhe për këtë arsye familja dhe marrëdhëniet mes të afërmve janë burimi kryesor i autoritetit”. Sipas tij dy mund të jenë zgjidhjet : e para, afat-gjatë, nëpërmjet informimit të detajuar të popullatës mbi shtrirjen e madhe dhe kompleksitetin e problemit; e dyta, afat-shkurtër, me arrestimin e menjëhershme dhe ndëshkimin e përgjegjësve për këtyre lloj krimeve. “Ky është një fenomen – saktëson Mila – që i ka rrënjët në kohët e lashta, deri në dy mijë vjet më parë, siç rezulton edhe nga dokumentet historike, si Kodi i Lekë Dukagjinit.”
I tmerruar nga paaftësia totale mbi këtë çështje historik-shkencore, gjej strehë në banesën e një zonjë të sjellshme që më rrëfen historinë e saj: në të vërtetë shumë e ngjashme me ato shumë që kam mbledhur në shtegtimit tim të shkurtër në malet shqiptare. I vjehrri i futur në burg për katër muaj e që del pas katër vjetësh; vëllai i burrit që vret njeriun që e kishte paditur; i shoqi i saj nuk del më nga shtëpia nga frika se mos e vrasin; ajo që çdo ditë duhet të shoqërojë fëmijët 12 dhe 7 vjeç në shkollë, përndryshe vetëm nuk shkojnë.
Dhe në fund ankesa e fundit për gruan shqiptare, e konsideruar nga kodi i shenjtë “si diçka e tepërt në familje,” e cila rri pothuajse gjithmonë e mbyllur në shtëpi edhe pse Kanuni nuk ia kërkon dhe, e privuar nga çdo farë e drejte, ndryshe nga mashkulli më i mjeruar, nuk është e denjë as për martirizim.
Ettore Mo