Sipas djalit shqiptar, ishte keqtrajtuar nga agjentët e policisë. Por gjykatësit u besuan forcave të rendit që deklaruan të kundërtën
Romë 30 shtator 2011 – Duhet të vuajë gjashtë muaj burgim për rezistencë dhe fyerje të zyrtarëve të shtetit 22 vjeçari shqiptar Rudi Braçi me origjinë nga Durrësi. Në Gjykatën e Parmës gjyqtari Carlo Saverio Ferraro vendosi të dënojë të riun, megjithëse ai kishte paraqitur një kundërpadi për keqtrajtime nga ana e policëve. Ai konsideroi jo të besueshme dëshmitë e drejtpërdrejta dhe fotografitë e shenjave e plagëve, të paraqitura në seanca dhe të botuara edhe ne mediat lokale e kombëtare në mbështetje të tezës së shqiptarit.
Më 9 shtator, Rudi Braçi, i cili jeton në Itali që foshnjë (ka qenë vetëm tetë muajsh kur prindët kanë ardhur nga Shqipëria), kishte pirë një birrë në një lokal e nuk kishte pasur mundësi ta paguante. Me sa tregon ai kishte dalë pa portofol dhe një shok që i kishte premtuar se do paguante ai, e kishte lënë papritur në baltë. Kur pronari i lokalit kishte lajmëruar karabinierët, për arsye që sipas Rudit nuk dihen, ka pasur një përplasje të fortë mes tyre dhe te riut, i cili nuk duket të jetë ndonjë trupmadh. Por nga dokumentet e urgjencës, del se lëndimet ishin të shërueshme në 22 ditë për Rudin dhe 15 për dy karabinierët.
Më pas ngjarja merr rrugën e gjykatës. Karabinierët akuzojnë të riun për rezistencë dhe fyerje të zyrtarit të shtetit, ndërsa familja shqiptare ngre padi për keqtrajtim. Rudi rrëfen se e kanë rrahur dhe sharë.
Por ndërsa sharjet kanë lënë ndoshta shenja diku thellë, ballafaqimi fizik ka lënë gjurmët e veta. I riu kishte shenja në krahë, në fytyrë dhe një hematomë në qepallën e djathtë. Ndërsa nga relacioni i mjekëve del se ka pasur dhe një traumë në kokë e në cervikale. Sipas rrëfimit të të afërmve për shumë ditë i riu nuk ka fjetur, ka qenë më të vjella dhe ka kaluar një periudhë i pushtuar nga tmerri. Të njëjtat gjëra kanë thënë edhe dëshmitarë që kanë qenë të pranishëm në vendngjarje, bile ata kanë rrëfyer edhe për shqelma në kokë dhe goditje të forta edhe kur i riu ishte i bllokuar e nuk mund të lëvizte më. Një dëshmitare, Claudia Montalbano, ka rrëfyer “djali ishte me fytyrën në asfalt dhe më pas agjentët e përplasën me forcë mbi makinë”.
Prandaj familja shqiptare është e vendosur të kërkojë drejtësi deri në fund, megjithëse agjentët vazhdojnë të mohojnë dhe të deklarojnë se janë viktimat e dhunës së Rudit. Pas dy muajsh, kur të dalin motivet e vendimit, avokatja mbrojtëse e të riut shqiptar, penalistja e njohur Claudia Pezzoni, do të vendosë se si do të vazhdojë për t’i dhënë drejtësi klientit të saj. Por që tani ajo flet për apelim kundër këtij vendimi që e konsideron të padrejtë.