Vlerësime të historianit Michael Schmidt-Neke figurës së Ramiz Alisë
I intervistuar sot nga Doutsche Welle, historiani Michael Schmidt-Neke, njohës i mirë i Shqipërisë, jep vlerësimet e tij për figurën e Ramiz Alisë, që ka ndërruar jetë sot në mëngjes. Ai shpjegon se përse është e vështirë të bësh një vlerësim të qartë të jetes së ish Presidentit të Shqipërisë, Ramiz Alia.
Historiani vëren se “Ramizi në jetën e tij ishte njeri shumë i shkathët dhe shumë oportunist. Në vitet shtatëdhjetë ai kishte një simpati për një liberalizim në fushën e kulturës, por pas festivalit të këngës të viteve ’72-’73 erdhi një erë shumë e ftohtë në skenën kulturore të Shqipërisë, duke përfunduar në një spastrim politik, i cili goditi njerëz si Todi Lubonjën e Fadil Paçramin etj. Por megjithatë Ramizi ishte si ngjalë ai diti të ruante jo vetëm kokën, jo vetëm lirinë, por edhe pozitën politike, e cila për të kishte përparësi të parë dhe në vitet 80-të ai nuk kishte ndërmend të vetëflijohej në emër të të ashtuqujaturit liberalizëm, por ai vepronte sigurisht në një mënyrë shumë oportuniste, që rezultoi në vitin 90-të, kur vala e ngjarjeve në Evropën Lindore kapi edhe Shqipërinë, me hir e pahir u detyrua të lejonte plurarizmin”.
Michael Schmidt-Neke kujton “Ramizi ishte një karakter krejt tjetër, po ta krahasosh me Mehmet Shehun për shembull, që ishte ushtarak i fortë gjithë jetën. Ai ishte njeri më i civilizuar, të themi. Ai nuk ishte i preokupuar nga idetë e jetës ushtarake, të forcave shtypëse represive, për mua ai është një karakter shumë enigmatik, do të ishte shumë interesant, kur një ditë të shkruhej biografia e Ramizit, por për sot ky moment nuk ka ardhur, duhet të presim ca dekada, që të mos jetë as propaganda, as denigrimi i plotë. Por është një karakter, siç thonë shqiptarët në dekadat e fundit, shumë poliedrik”
Historiani thotë se nga njëra anë “Ramiz Alia qysh nga vitet 50-të, 60-të ka qenë një funksionar shumë i rëndësishëm i sistemit komunist, duke u bërë trashëgimtar i Enver Hoxhës pas vekjes së tij në vitin 85, pra ai mban në supet e tij përgjegjësitë për të gjitha të metat dhe fajet e regjimit komunist për shkeljet e të drejtave të njeriut, për izolimin e Shqipërisë” e nga ana tjetër, në fazën e fundit të regjimit kur “në udhëheqjen e partisë së punës kishte një luftë mes dy fraksioneve, një fraksion i moderuar reformist, jo në shkallën e Gorbacovit, por në favor të reformave, kundër fraksionit tjetër konservator, i cili nuk lejonte asnjë lajthitje nga kursi i Enverit, ishte ramiz Alia ai që udhëhiqte të parin”.
Pyetjes nëse mund të konsiderohet meritë e Ramiz Alisë, fakti që ndryshimet politike në Shqipëri u zhvilluan pa gjakderdhje, Michael Schmidt-Neke i përgjigjet “Në një farë mase po, por në situata të tilla ka gjithmonë dy palë. Asnjë palë nuk kishte interes për gjakderdhje të madhe, për një luftë civile. Është edhe merita e udhëheqjes së kësaj kohe, edhe e popullit vetë, që nuk kreu akte dhune ndaj njerëzve, por vetëm kundër objekteve të regjimit, kam parasysh rrëzimin e përmendores së Enverit në shkurt 91. Pra çmimi për këtë tranzicion, në momentin e parë ishte një farë anarkie, një prishje e ekonomisë, por të paktën Shqipëria nuk përjetoi në këtë moment historik përvojën e Rumanisë me luftën civile të hapur, lufta civile pastaj ka ardhur në vitin ’97, për këtë Ramizi nuk kishte përgjegjësi”.
Lexo artikullin tëplotë: