in

Lamtumirë Ndrek Prela

Ndahet nga jeta në moshën 91-vjeçare aktori shkodran Ndrek Prela

Tiranë, 15 tetor 2011 – Aktori shkodran Ndrek Prela, i njohur për karrierën e suksesshme në teatër dhe kinematografi, një nga themeluesit e teatrit “Migjeni” të  Shkodrës ndërroi jetë sot në moshën 91 vjeçare.

Ai ndërroi jetë në banesën e tij në lagjen “Skënderbeg” të qytetit të Shkodrës. Familjarët e Prelës shprehen se “përpos moshës së thyer, shkak në përshpejtimin e ndërrimit të jetës është bërë edhe një frakturë që ai ka pësuar javën e fundit, si rezultat i humbjes së ekuilibrit në shkallët e banesës së tij private”. 

“Sot teatri Migjeni është më i vogël, sepse vdiq patriarku i këtij teatri, aktori më i vjetër shqiptar në moshën 91 vjeçare, një ndër më të shquarit e teatrit shqiptar. Sot Shkodra intelektuale ka humbur një nga figurat më të shquara, ka humbur shkodranin e madh, Ndrekë Prela”, theksoi dramaturgu Fadil Kraja, i cili ka pasur fatin të bashkëpunojë shumë ngushtë me të për vënien në skenë të shumë veprave të tij artistike. 

Kraja thekson se, “jeta e tij është e mbushur me ngjarje të rëndësishme të teatrit dhe sidomos të teatrit të Shkodrës. Ai ka interpretuar dhjetëra e dhjetëra role të rëndësishme dhe kudo ka spikatur figura e tij, e butë e ëmbël dhe me patos”. 

Kraja kujton se aktori Ndrek Prela ka luajtur mbi 400 herë rolin e Gjelosh Nikës tek “Fisheku në Pajë”, mbi 150 herë rolin e Ramiz Çulës tek “Çështja e Blertë”. Ndërkohë, ai shton se figura të shquara, aktori Prela ka lënë edhe në kinematografinë shqiptare, si “plaku Dini”, tek “Komisari i Dritës”, e sa e sa role të tjera. 

Në teatër njihen role të tij nga dramaturgjia shqiptare dhe ajo botërore. “Vjet ne i festuam 90 vjetorin. Ishte aty edhe e shoqja e tij, e cila u nda nga jeta pak javë më parë dhe ky po e pason bashkëshorten e tij, edhe ajo aktore, sepse ishte një çift teatri, ishte një familje e tërë artistësh, duke filluar nga vetë Ndreka, i vëllai, e shoqja, po ashtu edhe i biri Kolë Prela, një aktor i shquar”, shprehet dramaturgu Fadil Kraja, teksa flet me dhimbje për ndarjen nga jeta të mikut dhe bashkëpunëtorit të tij të ngushtë.

Në nderim të kësaj figure të madhe të artit shkodran dhe atij shqiptar, në orën 16.00 deri në 17.00 do të organizohen homazhe pranë trupit të pajetë të aktorit, Ndrek Prela, në hollin e teatrit “Migjeni”, pikërisht aty ku ai lindi dhe u rrit si aktor, duke i shërbyer për një karrierë tepër të gjatë dhe të suksesshme artistike.

Brezat e dytë. Kryetarët e komunave do t’u shkruajnë të rinjve: “Tani mund të bëhesh italian”

TOB nderon Migjenin me spektaklin “Migjeniana”