in

Mbyllet censusi në Shqipëri, mes polemikash siç nisi

U mbyll zyrtarisht më 31 tetor procesi i numërimit të popullsisë dhe banesave në të gjithë territorin e Shqipërisë nga Instituti i Statistikave.

Procesi i regjistrimit të banesave dhe qytetarëve nisi më 1 tetor. INSTAT njoftoi se ai do të zgjaste 3 javë. Por duke parë ecurinë, që një pjesë e mirë e shtetasve në Tiranë dhe në disa qytete të tjera të mëdha, për shkaqe të ndryshme nuk mundën të regjistroheshin, INSTAT tha se nevojitej edhe një javë kohë për të përmbyllur me sukses procesin. Në javën e fundit të tetorit, në terren dolën kontrollorët, të cilët kontrolluan punën e regjistruesve, si dhe regjistruan edhe të vonuarit. 

Censusi duhet të japë një përshkrim të detajuar të të gjitha aspekteve ekonomike, sociale dhe të jetës në Shqipëri, sa njerëz banojnë në Shqipëri sot dhe si jetojnë ata, për çfarë shërbimesh kanë nevojë ata dhe shumë aspekte të tjera të shoqërisë. Censusi siguron informacione që ndihmojnë autoritetet përgjegjëse të planifikojnë mbi baza reale dhe të hartojnë politika për nevojat konkrete në fushat e shëndetësisë, edukimit, punësimit, infrastrukturës etj. Për më tepër të dhënat e Censusit mundësojnë krahasimin midis qyteteve dhe zonave, kështu që institucionet ndërkombëtare dhe shqiptare mund të ndjekin me lehtësi zhvillimet dhe të planifikojnë aktivitetet e tyre më me saktësi. 

Këto të dhëna do të përdoren nga qeveritë në nivel kombëtar dhe lokal, bizneset, institucionet kërkimore dhe akademike, agjencitë zyrtare statistikore, shoqëritë civile, individët, partnerët rajonalë, Bashkimi Evropian, organizatat ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore, OSBE, organizata te Kombeve te Bashkuara si UNFPA, UNICEF, etj. 

Censusi filloi në datën 1 tetor 2011. Rreth 200 shtete në të gjithë botën realizojnë Censuse të rregullta. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian inkurajojnë të gjitha shtetet që të mbledhin informacione të tipit të Censusit. Censuset janë zakonisht të realizuara në intervale 10 vjeçarë në data të përafërta me shtete të tjera të botës. Kjo garanton që krahasimi i të dhënave midis shteteve të jetë i mundshëm dhe i besueshëm. 

Për këtë proces masiv në terren punuan 12 mijë anketues, 2 330 kontrollorë, 128 mbikëqyrës 36 koordinatorë lokalë. Në të gjithë Shqipërinë u hapën 374 zyra censusi dhe 11 në Tiranë. I gjithë procesi kushton 14 milione euro.
Drejtoresha e Institutit të Statistikave Ines Nurja deklaroi të hënën se procesi i Censusit u mbyll sot në terren dhe se ishte një proces i suksesshëm. Ajo tha se pas mbledhjes së të gjithë pyetësorëve në INSTAT, do të nisë  procesi i mbledhjes së të dhënave paraprake, që parashikohet të dalin pas rreth një muaji. “Do të kemi një numër të rezidentëve në Shqipëri, një numër të popullsisë të ndarë nëpër prefektura dhe ashtu si edhe numrin e banesave të banuara dhe të pabanuara”, tha Nurja. Pas përpunimit paraprak të këtyre të dhënave do të kryhet një anketë tjetër që quhet post censusi, e cila ka qëllim për të vlerësuar punën e bërë në terren dhe cilësinë e mbledhjes së të dhënave

Sipas kryeministrit Berisha, ky ishte regjistrimi i parë modern me të gjitha standardet. 

 “Nëse analizojmë historinë e regjistrimit të popullatës gjen një proces që në tërësinë e tij ka pasur problematika të shumëllojta, i realizuar në kohën e mbretërisë, pa diskutim që ishte në standarde, por s’mund të pretendohet që kishte mundësi reale për të patur saktësinë e sotme. Regjistrimi i bërë 10 vjet më parë është regjistrim jo në standarde. Sipas analizës të paanshme, në këtë regjistrim u injoruan disa nga kërkesat më themelore të regjistrimit të inidividit. Pati dhe probleme teknike serioze”, u shpreh Kryeministri.

Megjithatë, vijoi Kryeministri, “ky ishte një proces nën presion, si çdo proces tjetër. Një presion që fshihte qëllime dhe tendenca politike të qarta dhe të caktuara. Një proces që kishte si qëllim të fshihte statistikën për pasqyrimin e realitetit”.

 “Ata që vërtiten si dredharakë kundër tij tregojnë që kanë pasur një qëllim, të fshehin pasurinë e tyre. Janë një grusht i vogël njerëzish, i parëndësishëm, i identifikuar plotësisht, por që rrezes së transparencës s’mund t’i shpëtojnë. Rezulton qartësisht që frika nga pasuria e tyre ka qenë shkaku kryesor i fushatës që ata bënë dhe morën shpërblimin e merituar”, tha Berisha.

 “Pra”, vijoi ai, “pas reformës së sistemit të gjendjes civile dhe dokumenteve të identitetit, regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë përbën një reformë tjetër të rëndësishme, një proces themelor të njohjes së realitetit shqiptar për popullatën dhe banesat”.

E një ideje krejt tjetër Aleanca Kuq e Zi, që e ka kundërshtuar këtë proces që para se të niste. Në një konferencë për shtyp mesditën e së dielës, ajo denoncoi regjistrimin e popullsisë si abuziv, kërkoi shpalljen e tij si të pavlefshëm dhe akuzoi qeverinë për falsifikimin e të dhënave.

”Censusi është një farsë e qeverisë së nënshtruar”, deklaroi zëdhënësi i Aleancës. “Qeveria, nuk përmbushi rekomandimet e Bashkimit Europian, por ato të Athinës. Ekzistojnë prova edhe që anketuesit janë urdhëruar të falsifikojnë të dhënat”. Sipas Aleancës Kuq e Zi, përveç rritjes fiktive të numrit të minoritetit grek, po “realizohet edhe një rritje abuzime e të ardhurave për frymë dhe reduktim fiktiv i papunësisë në vend. Të gjitha këto bëhen për të përmirësuar në mënyrë të pavërtetë performancën e qeverisë”.

Aleanca vazhdoi me akuzat e saj, duke theksuar se “Shqipëria është duke ndjekur të njëjtën rrugë si Greqia për të hyrë në Bashkimin Europian. Ata hynë duke falsifikuar shifrat dhe për këtë arsye sot Athina ka falimentuar. Këtu në Tiranë, po bëjmë të njëjtën gjë, po falsifikojmë shifrat. Censusi duhet jo vetëm të shpallet i pavlefshëm, por edhe të nisin hetimet ndaj të gjithë atyre që e kanë shtrembëruar”.

Hapet festivali ndërkombëtar për fëmijë “Giffoni”

Ekspertët shqiptarë mbi videon Meta-Prifti: “Nuk është origjinale”