Fini: “Shpresojmë që të kontribuojë në përhapjen e vlerave të mikpritjes dhe të solidaritetit edhe në emër të emigrantëve tanë”. Në ndërtimin e Muzeut të Detit, ku është ngritur ekspozita, ka humbur jetën Albert Kolgjegja
Genova, 18 nëntor 2011 – Presidenti i Republikës Napolitano dhe kryetari i dhomës së Deputetëve Fini, edhe pse jo fizikisht, kanë qenë të pranishëm në Genova në inaugurimin e “Memorie e Migrazioni”, ekspozita që muzeu i Detit i kushton imigracionit.
Në emër të presidentit Napolitano, prefekti i Genovas, Francesco Musolino, u ka dorëzuar organizatorëve një pllakatë të presidencës së Republikës. Ndërsa Fini ka dërguar një mesazh në të cilin thekson që ekspozita, e realizuar me rastin e 150 vjetorit të Unitetit të Italisë, “të mund të kontribuojë për përhapjen e vlerave të mikpritjes dhe të solidaritetit, edhe në emër të emigrantëve italianë në botë”.
Ekspozita ofron ndërthurjen, edhe në mënyrë vizive, të eksperiencës së një shekulli të përjetuar nga emigrantët italianë drejt Nju Jorkut, Buenos Airesit, San Paolos, dhe të asaj të përjetuar prej emigrantëve nga Maroku, Tunizia e Senegali, që sot mbërrijnë në Itali. “Pikërisht barkat janë objekti më i jashtëzakonshëm i kësaj ekspozite – nënvizoi kryebashkiaku i Gennovas, Marta Vincenzi, e duartrokitur nga të pranishmit. – Shpresoj që kush të hyjë këtu, të dalë me bindje të ndryshuar mbi atë çka do të thotë emigracion”.
Gjatë ndërtimit të Muzeut të Detit, më 8 nëntor 2003, ka humbur jetën punëtori shqiptar Albert Kolgjegja. Ai vdiq i varrosur nën rrënojat e krahut lindor të Muzeut të detit që pësoi një cediment dhe e zuri poshtë. Bilanci i tragjedisë së asaj të shtune, 8 nëntor 2003, në Muzeun e detit në Gjenovë ishte një i vdekur dhe gjashtë të plagosur. Ndër këta të shtatë tre ishin shqiptarë. Albert Kolgjegja vdiq, ndërsa Skënder Ndoi dhe Zaim Kaçi, dolën me fraktura e plagë të tjera.