in

Migjeni, ky uragan

Më 20 nëntor u organizua në Mynih të Gjermanisë një mbrëmje kulturore kushtuar letërsisë brilante të Migjenit. Me këtë rast u shfaq edhe filmi dokumentar «Migjeni Ky Uragan» realizuar nga gazetarja Tefta Radi

Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni) është shkrimtari i madh i letërsisë moderne shqiptare. Ai ishte dhe do të jetë në zemrat e çdo personi që nga letërsia di të marrë të bukurën dhe të magjishmen. Me 13 tetor të këtij viti ishte edhe 100-vjetori i lindjes së këtij artisti të jashtëzakonshëm. Për nder të poetit dhe prozatorit shqiptar, në Mynih të Gjermanisë, u organizua më datë 20 nëntor një mbrëmje kulturore kushtuar letërsisë brilante të tij. Me këtë rast u promovua edhe filmi dokumentar «Migjeni. Ky uragan» realizuar nga gazetarja e mirënjohur e ekranit shqiptar, Tefta Radi.

Çfarë përfaqëson tek ju letërsia moderne e Migjenit?

Tefta Radi: Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni) është shkrimtari që unë e adhuroj. Për mua ai mbetet themeluesi i letërsisë moderne shqiptare, gjeniu i të gjitha kohrave. Migjeni është shkrimtari që hyri në historinë e letrave shqipe si një qënie e madhe sociale. Sa herë lexoj pjesë nga krijimtaria e tij, në poezi apo në prozë, ndjej forcën e fjalës që përcjell pena «migjeniane», mesazhin e fuqishëm që mbetet në më të shumtën e krijimtarisë së tij, mjaft aktuale.

Ç’mbani mend nga shkolla prej krijimeve të Migjenit?

 Si e tillë vepra artistike e Millosh Gjergj Nikollës, jo rastësisht është zgjedhur si pjesë e interpretimeve ne konkurse nga studentët pretendues për të studiuar në universitetin e arteve. “Poema e mjerimit” nga “Vargjet e lira”, “Bukuria që vret”, “Luli i vocërr”, “Legjenda e misrit”, “Kangët e rinisë”, e shumë të tjera, mbeten në kujtesën e çdo nxënësi, e në veçanti kur e kanë fatin të kenë edhe një mësues të zotë të letërsisë që është në gjendje edhe ta interpretojë sa do pak, krijimtarinë e Migjenit. Kështu ka mbetur edhe në kujtesën time që nga shkolla 8-vjeçare, se ai cikël shkollor ishte në kohën time, ku kisha mësues letërsie z. Petrit Kusi, mësuesi që na e bënte aq të dashur këtë lënde. Më pas, në të mesmen, në gjimnazin “Sami Frashëri” nga i mrekullueshmi Rinush Idrizi.

Ishte Migjeni ateist apo…

 Është çështja më e diskutuar edhe sot. Duket se Migjeni ka qenë i dyzuar në qëndrimin ndaj fesë. Ai e braktisi zhgunin priftëror, Oksfordin për klerik, pasi shpirti i tij prej artisti, qenia e tij shkrimtar, kërkonte më shumë liri, e cila i mungonte. Tek poezia “Blasfemi”, ai na shfaqet si ateist, por në të vërtetë në poezi të tjera të tij, si tek poezia “Lutje”, ku ai i drejtohet perëndisë për një simfoni plot dashuri, duket se Migjeni është jo kundër Perëndisë, se sa kundër autoritarizmit të fesë, keqpërdorimit të saj nga disa njerëz. Për të përcaktuar më qartë qëndrimin e Migjenit ndaj fesë, lipset të gjendet një autobiografi e shkrimtarit si dhe mbrojtja e temës së diplomës në Manastir, titulluar “Dy natyrat e krishtit”, që sipas studiuesit Skënder Luarasi duhet të jenë në arkivat qendrore të Shkupit.

Si e shikoni kohën përballë Migjenit, që nga koha e krijimtarisë së tij deri në ditët e sotme?

Migjeni është poeti që kapërceu dhe do të kapërcejë çdo epokë. Po të kemi këtu parasysh shoqërinë shqiptare të viteve ’30, mjerimin dhe skamjen e kohës, ai mbetet shkrimtari i dhimbjes dhe protestës, i pakënaqësisë së realitetit mjeran, i fshikullimit të hipokrizisë që sundonte në politikën dhe shoqërinë shqiptare të atyre viteve. Njëherazi ai ishte edhe poeti i besimit të krijimit të një bote të re. Triumfin e idealit për një jetë më të mirë, Migjeni e lidh me rininë, si pjesa më e shëndetshme e një shoqërie. Sipas studiuesit Mojkom Zeqo, Migjeni ishte shkrimtari që shkroi nga e ardhmja dhe jo nga e shkuara. Migjeni ishte një shkëmb, i cili qysh herët u ngul në panteonin e letrave shqipe falë vizioneve dhe koncepteve moderne, falë shpirtit të tij të trazuar, ku s’mund ta përcaktosh lehtë se ku mbaronte dhimbja, trishtimi dhe delikatesa, e niste zemërimi, protesta dhe furtuna Migjeniane, shkruan Lazer Radi në librin e tij “Një verë me Migjenin”.

Çfarë sjell dokumentari «Migjeni, ky uragan»?

 Dokumentari «Migjeni ky uragan» mbështetet mbi dëshmi autentike, në rrëfimet e personave që kanë pasur kontakte me shkrimtarin e madh, të cilët unë i konsideroj dhe si dëshmitarët e fundit të viteve ’30. Po ashtu me ish nxënës të Migjenit, që numërojnë mbi ’90 vite mbi supe. Por edhe personazhe të tjerë si dhe në dëshmitë e trashëgimtarëve të familjes Nikolla, mbesës Angjelina Ceka dhe nipit Gjergj Pero. Mjaft fakte interesante sjellin edhe studiuesit Mojkom Zeqo e Adriatik Kallulli. Një vend të rëndësishëm zënë edhe interpretimet e aktorëve shkodranë Enver Hyseni, Merita Smaja e Paskualina Gruda.

Ajo që dua të arrihet përmes këtij dokumentari është të hedhim dritë dhe të vlerësojmë punën e bërë nga personalitete të fushave të ndryshme që i kanë dhënë mjaft shoqërisë dhe historisë së kombit tonë, kombit shqiptar. 

Na tregoni diçka nga puna për përgatitjen e këtij dokumentari.

Për dokumentarin kam shfrytëzuar krahas filmimeve të shumta, materiale të Bibliotekës Kombëtare, Muzeut Historik të Shkodrës, Arkivit Qendror të Filmit Shqiptar si dhe nga arkivi i familjes Nikolla, nga vinte edhe shkrimtari i madh. Gjithashtu, më është dashur të punoj për muaj të tërë për të sjellë në ekranin e vogël jetën e shkrimtarit të madh që jetoi pak, vetëm 27 vite, por la pas thesare krijuese që tingëllojnë në çdo kohë.

Sa rëndësi ka sot letërsia e Migjenit?

Krijimtaria artistike e Migjenit, sot po lexohet më tepër se kurrë. Kjo është dëshmi e qartë për forcën e mesazheve dhe filozofinë që përcjell vepra e këtij artisti të jashtëzakonshëm. Edhe pse ka kaluar një shekull nga lindja e tij, të tjerë do të pasojnë dhe vepra do të vazhdojë të lexohet duke lartësuar figurën e shkrimtarit gjeni që nuk bëri kompromis me të keqen, por pati guximin qytetar për ta goditur atë pa mëshirë në kërkim të qytetërimit, të një jete më të mirë e të një shoqërie progresiste.

Sa i dha autori shoqërisë sonë shqiptare e veçmas qytetit të tij Shkodrës, e sa kjo e fundit po jep për nderimin e figurës së lavdishme të tij?

 Migjeni u përket të gjithë shqiptarëve. Shoqëria shqiptare duhet ti jetë mirënjohëse atij përgjithçka ai bëri për ta ngritur atë nga përgjumja drejt dritës dhe një jetë më të mirë. Në veçanti Shkodra, e cila siç shprehet studiuesi Mojkom Zeqo, duhet të shkruaj me germa bronzi në urën mbi lumin Bunë, thënien migjeniane për qytetin e tij të lindjes: “Shkodra, Shkodra dashnorja e shekujve…”

Intervistoi Besnik Rama (Gazeta Nacional Albania)

Lexo edhe:

Një trofe i ri për “Amnistinë” e Alimanit

L’Albania da Migjeni all’Unione Europea