in

Azilkërkuesit vënë në rrezik liberalizimin e vizave

Shqipëria rrezikon të futet në “Listën e zezë Shengen”, të parashikuar nga një projektligj që kërkon të përcaktojë pezullimin e përkohshëm të lëvizjes së lirë të qytetarëve në zonën Shengen. Shkak është rritja e numrit të azilkërkuesve

Romë, 21 nëntor 2011 – Sipas “AlbanianScreen”, Komisioni Europian ka nisur procedurën e miratimit të një projektligji që parashikon pezullimin e përkohshëm të lëvizjes së lirë të qytetarëve në zonën Shengen. Ky kufizim do të zbatohet jo vetëm ndaj vendeve të veçanta, qytetarët e të cilave abuzojnë me liberalizimin e vizave për të kërkuar azil në Europë, por ndaj të gjitha vendeve të Ballkanit që kanë përfituar liberalizimin e vizave.

“Situata është serioze. Ajo që jemi duke u përballuar tani, sidomos disa vende të Bashkimit Europian si Belgjika, Luksemburgu, Suedia  dhe Gjermania është me të vërtetë shqetësuese. Numri i azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor ka ardhur duke u shtuar. Unë mendoj se qeveritë e këtyre e vendeve kanë marrë disa masa, por ato nuk janë të mjaftueshme. Dhe tani ne kemi në duar një propozim të Komisionit Europian për pezullimin e përkohshëm të lëvizjes së lirë. Pezullimi mund të bëhet për disa muaj. Unë shpresoj që në të ardhmen, asnjë shtet të mos hyjë në listën e zezë të Shengenit”, shpjegon Fajon për AlbanianScreen TV.

Sipas saj bëhet fjalë për të vendosur disa kritere ligjore. “Tani po bisedojmë se cilat  mund të jenë këto kritere, që  një vend anëtar i BE-së, që ka probleme, mund t’i imponojë për të rivendosur regjimin e vizave. Atmosfera në këto vende të prekura nga fluksi i azilantëve është shqetësuese, por këtu në Parlament jemi duke bërë maksimumin, për të mos e rrezikuar lëvizjen e lirë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Por kjo nuk është vetëm në dorën tonë. Qeveritë e këtyre vendeve duhet të marrin masa që të mos ketë abuzime me sistemin e lëvizjes së lirë”, deklaron Fajon.

Raportuesja në PE për çështjen e Shqipërisë bën të ditur se projektligji është në fazën e diskutimeve, ndërsa  paraqitja e tij në Parlament pritet të bëhet në fund të nëntorit. Sakaq për projektligjin e Komisionit Europian, për pezullimin e lëvizjes së lirë, nuk ka ende një konsensus në gjirin e vendeve të BE-së. Për këtë qëllim, po punohet për të vendosur kritere shumë të sakta se kur një vendi i rikthehet përkohësisht regjimi i vizave ose futet në “listën e zezë të Shengenit”.

Shqetësimi i BE-së janë vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, që tani rrezikojnë një kthim të mundshëm të regjimit të vizave. Komisioni i Bashkimit Europian i ka dërguar një letër të gjithë ministrave të Brendshëm të Shqipërisë, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë më 20 shtator të këtij viti, në të cilën shkruhej “Vihet në rrezik regjimi i liberalizimit të vizave”. “Komisari evropian për çështjet e brendshme Cecilia Malmström – deklaroi në shtator zëdhënësi i saj Michele Cercone – është shumë e shqetësuar për rritjen e numrit të kërkesave për azil të paraqitura nga shtetas të Ballkanit perëndimor, në shtete të ndryshme anëtare të BE-së”.

Një tjetër sinjal pakënaqësie për abuzimin e shqiptarëve me liberalizimin e vizave erdhi edhe drejtpërdrejt nga autoritetet e Belgjikës në mes të tetorit. Shtimi i ndjeshëm i numrit të azilkërkuesve shqiptarë shqetësoi Belgjikën, aq sa Drejtor i Përgjithshëm i Emigracionit, Freddy Roosemont, shkoi në Shkodër për të takuar autoritetet lokale. Përveçse i paralajmëroi se kërkesat për azil do të rrezikojnë heqjen e vizave për të gjithë shtetasit shqiptarë, zyrtari belg kërkoi ndihmën e autoriteteve shqiptare për ndalimin e kësaj dukurie.

Përplasen me pallatin, shembet ballkoni dhe i zë poshtë

Në kapërcyell të dy përvjetorëve