Shoqëritë ajrore shqiptare Albanian Airlines dhe Belle Air do të mund të vazhdojnë fluturimet e tyre mbi Europë falë angazhimit të autoriteteve italiane që “kanë pranuar të zgjerojnë më tej bashkëpunimin me Shqipërinë në dhënien e asistencës teknike të fokusuar në përmirësimin e mbikëqyrjes”. Kjo është një nga risitë më të rëndësishme të Komisionit Europian e të Komitetit të Sigurisë Ajrore që sot ka përditësuar për të tetëmbëdhjetën herë listën e zezë të avionëve apo kompanive ajrore që nuk mund të udhëtojnë në BE për motive sigurie.
Lista e re e përgatitur nga Komiteti për Sigurinë ajrore ndalon fluturimet për e nga një aeroport europian, apo përcakton shtrëngime, për 273 kompanive ajrore nga 21 vende të ndryshme të botës, kryesisht afrikane.
Asnjë shtrëngim apo ndalim nuk parashikohet për kompanitë shqiptare. Edhe pse Komiteti shpreh shqetësim për Albanian Airlines e BelleAir, nuk i përfshin ato në listën e zezë falë “angazhimit formal të autoriteteve shqiptare për të punësuar personel me kohë të plotë të kualifikuar për të siguruar mbikqyrjen e vazhdueshme të transportuesve ajrorë” dhe angazhimit të autoriteteve italiane për “zgjerimin e bashkëpunimit me Shqipërinë në dhënien e asistencës teknike të fokusuar në përmirësimin e mbikëqyrjes”.