Agjencitë kryesore turistike në vend, pohojnë rritjen me 10% të kërkesës për të kaluar festat e fundvitit jashtë vendit, kaliuar me një vit më parë. Destinacionet kryesore Itali dhe Greqi, tek të afërmit
Tiranë 18 dhjetor 2011 – Rritet kërkesa për të kaluar festat e fundvitit jashtë vendit. Sipas agjencive kryesore turistike në vend, Cosmos-Tours, Alb-Tours e të tjera, 15 ditët e para të muajit dhjetor kanë shënuar një rritje deri në 10% të kërkesës për të kaluar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri jashtë vendit.
Flogert Xhabrahimi, menaxheri turistik i agjencisë Cosmos-Tours, thotë se “këtë vit, krahasuar me vitet e mëparshme, qytetarët shqiptarë janë interesuar për paketat turistike në kuadër të festave të fundvitit, që në ditët e para të dhjetorit dhe jo në momentet e fundit, siç ndodh rëndom”.
Sipas tij, destinacionet kryesore ku qytetarët preferojnë të shkojnë janë Roma, Praga, Berlini, Barcelona, Parisi, Amsterdami etj. Kjo përzgjedhje, sipas tij, “kushtëzohet nga dy faktorë, kohëzgjatja e pushimit nga njëra anë, dhe vendndodhja e të afërmeve të tyre nga ana tjetër”.
Për kategorinë e fundit, ata që shkojnë pranë të afërmve, sqaron Xhabrahimi, destinacionet kryesore janë vendet fqinje, Italia e Greqia, ku përqëndrohen rreth 80% të kërkesave. Ndërsa për kategorinë e parë, kur pushimet mund të jenë të gjata të kohë, Xhabrahimi bën të ditur se “preferenca e pushuesve shkon edhe për tej Evropës. Dubai, Rio, etj., janë destinacione të cilat po marrin gjithnjë e më shumë kërkesa”, nënvizoi ai.
Në të njëjtën linjë, shprehen edhe drejtuesit e agjencive të tjera turistike, të cilët konfirmuan trendin e rritjes së kërkesës, në shifrat që variojnë nga 7-8 deri në 10% krahasuar me 2010-ën. Ata gjithashtu konfirmojnë se më shumë se 75% e tregut preferojnë vendet fqinjë, Italinë, Greqinë, ndërkohë që pjesa tjetër kërkon destinacione të tilla si Parisi, Amsterdami, Berlini, Barcelona, Madridi, etj.
Nga ana tjetër, qytetarët e intervistuar nga ATSH thanë se dëshira për të kaluar festat jashtë vendit është e shumë e madhe, por problemi mbetet çmimi. Një zonjë thotë për ATSH-në se është e interesuar të kalojë festat pranë të afërmve të saj në Itali, por çmimi i biletës e ka stepur atë.
Ndërsa një çift i ri pohon se kanë prenotuar për të kaluar disa ditë në Francë. “Sapo jemi fejuar, thotë djali, prenotuam dy bileta për në Paris”. Ndërsa për sa i takon çmimit vajza thotë me ironi se “tashmë na duhet të marrim borxh për ushqimin dhe për hotelin”.