Aktivitetet kryesore në Tiranë, gjatë javës së fundit të vitit
Tiranë 18 dhjetor 2011 – Në prag të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, institucionet kulturore në Tiranë do të ngjiten në skenat e tyre shfaqje të ndryshme, që do t’i shtohen atmosferës festive të kryeqytetit.
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit do të mbyllë sezonin artistik me baletin “Zhizel”, nën regjinë e Agron Aliajt. Duke filluar nga data 22 e deri në mbrëmjen e Krishtlindjeve, baleti me muzikë të Adolf Adam do të ngjitet në skenën e TKOB-së, si një mundësi e mirë për të gjithë të pasionuarit e artit të kërcimit.
“Zhizel” vjen me interpretimin e solistëve të trupës së baletit dhe nxënësve të Shkollës Kombëtare Koreografike, të cilët do të shoqërohen nga orkestra simfonike e TKOB-së. Paraditja e festës së Krishtlindjeve do të sjellë koncertin koral me artistët nën dirigjimin e Valmir Xoxës.
Tashmë traditë prej 8 vitesh, edhe këtë prag Viti të Ri, nuk do të mungojë në skenën e TKOB-së “Grand Ballo”, ku do të vallëzohet nën tingujt e valsit nga kompozitori austriak Shtraus, si dhe do të luhen pjesë nga kompozitorët Moxart, Franz Lehar, etj. Programit nuk do t’i mungojnë edhe pjesë koreografike dhe orkestrale të traditës vjeneze.
Për të pasionuarit e komedisë, Teatri i Metropolit do të shfaqë në fundjavën e Krishtlindjeve shfaqjen “S’ka burrë që tradhton gruan time” të regjisorit Milto Kutali. Guri Koço, Armela Demaj dhe Florian Agalliu janë aktorët që do të sjellin veprën e autorëve Samuel Bobrick dhe Ron Clark. Një çift të dashuruarish, që duan të vrasin burrin e gruas, më pas kjo e fundit me burrin e saj që duan të vrasin të dashurin e gruas, pasi ai e tradhtoi dhe në fund dy meshkujt që duan të vrasin gruan, janë situatat komike të shfaqjes.
Java e fundit e dhjetorit do të sjellë tinguj nga kompozitorë shqiptarë në Festivalin e fundvitit të RTSH-së, i cili këtë vit shënon edicionin e tij të 50-të. Festivali i Këngës në RTSH do të zhvillohet në datat 26, 27, 28, 29 dhjetor në Pallatin e Kongreseve, ku 28 artistë do të jenë në garë për çmimin e parë.
Ditët e fundit të dhjetorit do të sjellin në kinema “Millenniun”, dy filma njëherësh, njëri aksion thriller dhe sagë, ndërsa tjetri një komedi. Bëhet fjalë për “Mission Impossible-Ghost Protocol”, me protagonist aktorin Tom Cruise, misioni më i ri i tij, dhe komedinë “Tower Heist”, me aktorët Ben Stiller, Eddie Murphy dhe Casey Affleck.
Teatri i Metropolit do të shfaqë sot dhe nesër dramën “Shtëpia e Bernarda Albës”, nga regjisori Kiço Londo. Vepra e Federiko Garsia Lorkës do të interpretohet nga Luiza Xhuvani, në rolin e protagonistes, ndërkohë dhe në role të tjera do të jenë aktoret Roza Anagnosti, Erjona Kakeli, Adriana Tolka, Mirela Naska, Ermira Hysaj, Esela Pysqyli dhe Taulanda Jupi.
Po në Teatrin e Metropolit, në sallën “Çehov” do të shfaqet nesër komedia e Gent Bejkos “Lagjja 45”, një komedi e bazuar në jetën e përditshme, në 24 orëshin e një qyteti. Në komedinë e improvizuar, deri tek kostumet dhe skenografia nga aktorët, do të interpretojnë Erblin Bajko, Klodi Keco, Kristiana Dodaj, Gerti Ferra, Irgen Çela, Arjeta Dhima, etj.
Dy shfaqje paralele do të jepen ndërkohë edhe në Teatrin Kombëtar. Inaugurohet sot, edhe pse në sallën e TK-së, Teatri Kombëtar i Komedisë, me shfaqjen “XXL TV” të Stefan Çapalikut. Një komedi me aktorët Lulzim Zeqja, Marsela Lena, Olta Dako, Mehdi Malka, etj nën regjinë e Çapalikut dhe Naun Shundit. Të mësuar duke parë televizionin që shkon tek teatri kësaj here është ky i fundit që shkon tek ai.
Ndërkohë në sallën e madhe të TK-së, vazhdon edhe këtë fundjavë drama “Amadeus” e regjisorit Altin Basha. Shfaqja rrëfen historinë e luftës mes Salierit dhe Amadeusit për të zënë vendin e dirigjimit në orkestrën e oborrit të mbretit Jozef i Dytë, me protagonistë aktorët Fatso Sela dhe Marin Orhanasi.
Me këto shfaqje do të mbyllet sezoni artistik 2011 i institucioneve kulturore të Tiranës.