in

Kriza ekonomike rrezikon edhe monumentet e kulturës

Italia është ndër vendet e botës ku janë përqendruar më shumë vepra arti e monumente kulturore, që sot sipas arkeologëve, janë në rrezik për shkak të shkurtimeve të shpenzimeve qeveritare. Këto shqetësime ngrihen pas rënies së një tjetër muri në qytetin antik të Pompeit

Romë, 19 dhjetor 2011 – Për arkeologët, Pompei është dritarja më e rëndësishme në botë që e lidh me jetën antike. Ky qytet i rëndësishëm i Perandorisë Romake u mbulua nga metra të tërë hiri kur vullkani pranë tij, Mali Vezuv u bë aktiv në vitin 79 të erës sonë. Gërmadhat e nëndheshme u zbuluan rastësisht 17 shekuj më pas. Shumë prej shtëpive, punishteve dhe ndërtesave publike u gjetën pothuajse të paprekura.

Sot ekspertët paralajmërojnë se, për shkak të krizës ekonomike të Italisë, gjithçka është në rrezik. Në fundin e muajit tetor, rreth tetë metra katrorë të një muri rrethues u shembën pas një shiu të fortë. Një vit më parë ishte shembur edhe Shtëpia e famshme e Gladiatorëve. Presidenti italian e ka cilësuar dëmin si “fatkeqësi kombëtare”.

“Kemi pasur njoftime të reja këto ditët dhe javët e fundit mbi struktura antike që janë duke u shembur në Pompei. Kjo ndodh gjithmonë kur ka mungesë fondesh”, ka shpjeguar për Zërin e Amerikës Tsao Cevoli, president i shoqatës italiane të Arkeologëve që ka punuar për një kohë të gjatë në Pompei.

“Gjatë viteve të fundit është kërkuar ndihmë urgjente për tre prej monumenteve historike më të rëndësishme të Italisë: Pompei, Koloseu dhe Muzeu Uffizi në Firence. Nëse këto tre monumente kaq të famshme kanë nevojë për ndërhyrje urgjente, atëherë  në çfarë gjendje mund të jenë të gjitha zonat e tjera arkeologjike në Itali?”. Sipas arkeologut, për shkak të krizës ekonomike të Italisë, muajt e ardhshëm trashëgimia kulturore e vendit mund të pësojë dëme edhe më të mëdha.

Nga ana e tyre, autoritetet që kanë për detyrë mbrojtjen e monumenteve, ia vënë fajin për dëmet shirave të rrëmbyeshëm në Itali. Ato stuhi dëmtuan edhe monumente të tjera të famshme. Zona të nëndheshme të Koloseut në Romë u përmbytën dhe disa mure u dëmtuan.

Ministri i ri i Monumenteve të Kulturës, Lorenzo Ornaghi, të dielën ka vizituar Pompein, pas një mbledhjeje me drejtuesit e gërmimeve arkeologjike. “Pompei mbetet prioritet për qeverinë. Konfirmoj vëmendjen e kombëtare për këtë monument të jashtëzakonshëm të vendit tonë. Një ndër përpjekjet më të mëdha të muajve të ardhshëm do të jetë pikërisht dhënia e zgjidhjeje që t’i përshtatet vëmendjes që mbarë bota po tregon për Pompein”.  

Sipas ministrit, 105 milionë eurot të vëna në dispozicion nga BE, do të përdoren sapo të jetë e mundur, por jo më parë se shtatori, tetori i vitit të ardhëm, për shkak të disa afateve teknike që duhen pritur për fondet evropiane. 

Merkel në Kosovë: “Të zgjidhet çështja e veriut të Kosovës”

Prezantohet në Tiranë trajneri i kombëtares Gianni De Biasi