in

Prezantohet në Tiranë trajneri i kombëtares Gianni De Biasi

De Biasi gazetarëve: “Ndihem krenar që do të drejtoj kombëtaren shqiptare, është përgjegjësi e madhe. Nuk mund të parashikoj gjë, rezultatet vijnë me kohë dhe jo me fantazi. Përgjegjësia ime është të përmbush kriteret”

Tiranë, 19 dhjetor 2011 – Sot në mesditë në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit është prezantuar  trajneri i Kombëtares së Shqipërisë,  Gianni De Biasi. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka theksuar se me teknikun italian është “arritur marrëveshje 2-vjeçare, me mundësi përtëritjeje”.

“Kërkoj ndjesë që nuk mund të flas dot gjuhën tuaj. Ndihem krenar që do të drejtoj kombëtaren shqiptare, është përgjegjësi e madhe. Jam krenar që jam zgjedhur trajner i një vendi, që rritet si nga ana ekonomike, ashtu edhe ajo sportive” është shprehur  trajneri De Biasi përpara kamerave.

Më pas trajneri i ri i kuqezinjve De Biasi ka folur gjatë me gazetarët e pranishëm duke treguar njohjet e tij me futbollin shqiptar, lidhjet me lojtarët që luajnë jashtë e veçanërisht në Itali. Përsa u përket rezultateve që priten prej kombëtares shqiptare nën drejtimin e tij, De Biasi u shpreh: “Nuk mund të japim objektiva, rezultatet vijnë me kohë dhe jo me fantazi. Përgjegjësia ime është të përmbush kriteret. Te kombëtarja shqiptare do të sjell eksperiencën që kam arritur me klubet që kam drejtuar. Do të analizojmë pozicionin e Shqipërisë në renditjen e FIFA-s dhe do ta përmirësojmë. Jam realist, që kombëtarja të rritet duhet të bëjë hapa përpara”.

Lidhur me grupin eliminator të Shqipërisë për botërorin “Brazil 2014”, ku kombëtarja kuqezi do të ketë përballë Norvegjinë, Slloveninë, Zvicrën dhe Qipron, De Biasi sheh Zvicrën si skuadrën që skuadra shqiptare duhet të vërë poshtë: “Grupi eliminator është i vështirë. Zvicra do të jetë ekipi për t’u mundur në mënyrë që të arrijmë një vend të tretë”.

De Biasi ka sqaruar gjithashtu se vetëm 72 ditë ndajnë nga ndeshja miqësore me Gjeorgjinë në Tbilis, që është edhe prova e parë për të në krye të kombëtares, kështu që duhet shumë punë nga anë e tij dhe e lojtarëve për të gjetur formën më të mirë teknike dhe fizike.

Kriza ekonomike rrezikon edhe monumentet e kulturës

Aksident rrugor në A4. Vdes 25-vjeçarja, në gjendje të rëndë foshnja e saj