in

Projektligji ‘shtupë’ i informacionit në Itali

Projektligji nr. 1611 mbi Përgjimet – ose siç njihet në zhargon, ‘ligji shtupë i informacionit’ – është duke bërë bujë të madhe aktualisht në Itali, pasi bie ndesh me lirinë e shtypit dhe sidomos me vetë procedurat gjyqësore. I propozuar nga qeveria aktuale dhe i aprovuar me 164 vota në favor e 25 kundra nga senati italian më 10 qershor 2010, teksti ende duhet të miratohet nga parlamenti dhe të nënshkruhet nga Presidenti i Italisë për t’u bërë ligj. Projektligji ka të bëjë në linja të përgjithshme me dy aspekte themelore: me atë të respektimit të jetës private dhe me atë të së drejtës së qytetarit për tu informuar. Duke imponuar një kufizim jo vetëm të përgjimeve pa dijeninë e personave të dyshuar por edhe duke penguar gazetarët dhe publicistët që t’i botojnë ato përpara seancave paraprake gjyqësore, pengon gjithashtu bërjen publike të këtyre fakteve për 2-3 vjet. Me fjalë të tjera kemi të bëjmë me një censurë mbi faktet. Pra kufizimet e reja të këtij ligji nuk kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me lirinë e mendimit dhe të shprehjes por kanë të bëjnë më shumë me njohjen dhe bërjen publike të fakteve. Por pa njohjen e fakteve nuk mund të krijohen mendime dhe opinione mbi një argument, mbi një ngjarje të caktuar ose personazh publik e si rrjedhojë nuk do të ekzistojë mundësia për të pasur një opinion dhe për ta shprehur atë lirisht.

Kufizimet mbi Përgjimet

Italia deri më sot ka pasur një legjislacion shumë progresiv në lidhje me përgjimet por kufizimet e këtij ligji kanë për të krijuar shumë vështirësi për hetimet duke krijuar jo pak probleme vet strukturave shtetërore hetimore. Aktualisht për të vendosur nën përgjim numrin e telefonit të një individi (ose grupi individësh) të dyshimtë, autorizimi merret nga një gjykatës. Sipas rregullave të reja mund të vihen nën përgjim vetëm ata individë mbi të cilët rëndojnë fakte të rëndësishme faji dhe vetëm për vepra të caktuara kriminale: mafie, terrorizëm, rrëmbim personi, stalking si dhe ato qe janë të dënueshme me më shumë se 5 vjet heqje lirie.

Legjislacioni i sotëm mundëson për arsye hetimore vendosjen e mikrofonave përgjues në ambiente publike dhe private, deri në mbarim të hetimeve paraprake të cilat mund të zgjasin edhe me vite. Sipas projektligjit të ri, vendosja e mikrofonave përgjues në shtëpitë apo makinat e të dyshuarve – të cilët ndërkohë mund të jenë duke kryer akte të ndryshme kriminale – do të lejohen maksimalisht vetëm tre ditë me mundësi rinovimi edhe për tre ditë të tjera.

Përsa i përket kohëzgjatjes së përgjimeve, legjislacioni aktual mundëson vendosjen nën kontroll të telefonave përgjatë gjithë periudhës së nevojshme të hetimeve paraprake. Normativa e re parashikon një kohëzgjatje për 75 ditë, dhe vetëm nëse prokurori ka arsye të motivuara mund ti kërkojë gjykatësit për hetimet paraprake një zgjatje çdo tre ditë. Në rastin e shkeljeve më të rënda penale – që kanë të bëjnë me organizatat mafioze dhe terrorizmin – mund të bëhet një rinovim 40 ditor, plus një tjetër shtyrje 20 ditore. Sipas Alberto Cisterna, zëvendës Prokurori i Drejtorisë Kombëtare të Anti-Mafias, ligji i ri do të vërë në pikëpyetje serioze marrëveshjet ndërkombëtare që Italia ka nënshkruar në 1991 në Palermo kundër kriminalitetit transkombëtar. Në një intervistë të dhënë për gazetën e pavarur italiane Fakti i Përditshëm më 18 qershor 2010 ai shprehet: “Projektligji i miratuar nga Senati ka fshirë konceptin e krimit të organizuar. Ne po përballemi me sulmin më të fortë që kjo reformë po i bën hetimeve kundër bizneseve të pista dhe klientelizmit të politikës së keqe, pasi trajton në të njëjtën mënyrë qoftë zyrtarin shtetëror të korruptuar ashtu edhe bandat e kriminelëve që realizojnë sinergji të sofistikuara dhe të thella me politikën. Në të dyja rastet do të nevojiten prova të rënda kriminale për të kryer përgjimet ose për të përftuar prospektet.

Aktualisht, kushdo mund të incizojë një bisedë në mënyrë të fshehtë, ashtu si edhe bëjnë shpesh emisionet hulumtuese italiane si ‘Striscia la notizia’ dhe ‘Le Iene’ me qëllim demaskimin e dallavereve dhe mashtrimeve, për të informuar publikun e gjerë. Me projektligjin e ri këto incizime mund ti kryejnë vetëm gazetarët profesionistë dhe publicistë. Për ata që nuk hyjnë në kategoritë e lartpërmendura dënimi është burgosja nga 6 muaj deri në 4 vjet. Por pyetja që i lind natyrshëm qytetarit të thjesht italian është: Ku do kërkojë drejtësi nëse nuk mund të incizojë një nëpunës publik shtetëror kur ky i fundit – duke abuzuar me vendin e tij të punës – më kërkon në këmbim ryshfete? Pamundësia për qytetarin e zakonshëm që të regjistrojë biseda të tilla shkurajon në këtë mënyrë përgjegjësinë qytetare për një shoqëri civile të përgjegjshme të bazuar në të drejtat e lirisë dhe barazisë; koncepte këto që në rast të aprovimit të këtij ligji do funksionojnë vetëm në letër.

Sanksionet

Projektligji mbart në vetvete kufizime për gazetarët italian duke mos lejuar publikimin e akteve hetimore, në të kundërt, gazetarët rrezikojnë përveç gjobës prej 20 mijë euro edhe një dënim me burgim deri në 30 ditë. Ligji parashikon që botimi i këtyre akteve mund të kryhet vetëm pas mbarimit të hetimeve, të cilat, – nëse konsiderojmë burokracinë e gjate dhe paradoksale që mbretëron në Itali – mund të zgjasin edhe vite me radhë. As botuesit e mediave nuk i shpëtojnë këtyre sanksioneve. Konkretisht nëse një gazetë publikon akte që janë të ndaluara – sidomos nëse janë përgjime – botuesi dënohet më një gjobë deri në 450.000 euro. Kjo do i detyrojë botuesit të kontrollojnë drejtpërsëdrejti dhe tërthorazi përmbajtjen e materialeve të botuara në gazetat e tyre duke ushtruar kështu edhe një presion mbi gazetarët – gjë që bie ndesh me etikën deontologjike profesionale.

Reagimet

Projektligji ka krijuar shumë indinjatë në popull dhe ka ngritur një vale protestash të ashpra nga gazetarët, redaktorët, botuesit, gjykatësit dhe ekspertët ligjorë, të cilët vënë në dukje se ky ligj do të vështirësojë shumë hetimet mbi kriminalitetin e organizuar dhe mbi korrupsionin, dhe praktikisht do pamundësojë publikimin e lajmeve mbi këto argumente. Kritika të forta nuk kanë munguar edhe nga Shoqata Kombëtare e Magjistraturës (ita. Associazione Nazionale Magistrati) dhe nga Presidenti i saj Luca Palamara. “Projektligji mbi përgjimet do të gjunjëzojë aktivitetin e hetimeve të prokurorisë së shtetit dhe të policisë, përveçse do të kufizojë lirinë e informacionit; shfuqizimi i këtij mjeti hetues do të thotë në mënyrë të pashmangshme garanci për mos-ndëshkimin e kriminelëve.”- shprehet Palamara.

Reagimet e Federatës Kombëtare të Shtypit Italian (F.K.Sh.I.) e gjykojnë këtë ligj si një agresion të papranueshëm duke mobilizuar jo vetëm në Itali por edhe jashtë saj gazetarë, shoqata, sindikata dhe lëvizje të ndryshme të shoqërisë civile me qëllim sensibilizimin ndërkombëtar.

Gjatë manifestimit të zhvilluar më 1 korrik në sheshin Navona në Romë, Sekretari i F.K.Sh.I. Franco Siddi, u shpreh për një rezistencë qytetare të shekullit të 21: “… mosbindje qytetare pasi ligjet e gabuara nuk duhen respektuar. Në të kundërt dhunohen ligjet mbi shtypin e lirë dhe mbi Kushtetutën”.

Presidenti i F.K.Sh.I., Roberto Natale do të deklarojë në web-site-n e federatës: “Ne nuk jemi korporativë dhe e kemi sqaruar me fakte se ky projektligj është negativ. Nëse ky projektligj aprovohet atëherë ne si Federatë do të apelojmë në Gjykatën Evropiane. […] Një ditë në heshtje – vazhdon Natale – për të dëshmuar dhe denoncuar situatën e rëndë që po krijohet në vend nga ky projektligj. Një heshtje kjo, që do të kthehet në heshtje absolute për shumë lajme, nëse ky ligj aprovohet”. Për të protestuar kundër këtij projektligji u organizua greva e përgjithshme e gazetarëve të shtypit dhe botuesve italianë më 9 korrik.

Reagimet e ashpra kanë kaluar kufijtë e Italisë e kanë mbërritur edhe nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, nga OSBE- Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe nga Këshilli i Europës.

Konkretisht Departamenti Amerikan i Drejtësisë është shprehur me anë të zëdhënësit të vet Lanny Bauer, i cili – gjatë një vizite në Itali për të përkujtuar vrasjet e gjykatësve Borsellino e Falcone nga ana e mafies – do të vinte theksin tek rëndësia esenciale që kanë përgjimet gjatë hetimeve.

Ndërsa OSBE duke e ftuar klasën politike italiane të heqë dorë nga aprovimi i këtij Projektligji ose ta modifikojë atë sipas standardeve europiane, shprehej më 15 qershor me anë të Përfaqësueses për Lirinë e Mediave znj. Dunja Mijatovic: “Jam e shqetësuar që Senati miratoi një projektligj që mund të pengojë seriozisht gazetarinë hulumtuese në Itali duke shënuar një trend drejt kriminalizimit të punës gazetareske. Gazetarët duhet të jenë të lirë të publikojnë të gjitha rastet që janë të interesit publik duke u vënë në një pozitë të atillë që të kryejnë punën e tyre hulumtuese me përgjegjshmëri.” E menjëhershme kundër-përgjigja e Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane me anë të zëdhënësit të saj, Maurizio Massari, që e gjykon “të papërshtatshme” deklaratën e OSBE në lidhje me këtë masë legjislative ndërkohë kur procesi parlamentar është akoma në zhvillim e sipër.

Qëndrimi i Këshillit Europian dhe i Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit (ang. GRECO: Group of States against Corruption), në të cilën Italia ka aderuar më 30 qershor 2007, është po aq kritikues. Slloveni Drago Kos i cili është president i GRECO-s që nga viti 2002, në një intervistë të dhënë më 30 qershor 2010 për gazetën italiane Fakti i Përditshëm do të vinte theksin tek balancimi i parimeve themelore të cilat janë të vlefshme për të gjithë. “Ky projektligj do të krijojë vështirësi të rënda për luftën kundër krimit të organizuar – do të shprehej Kos. – Në njërën anë ekziston e drejta e mbrojtjes së privatësisë dhe nga ana tjetër, ekziston e drejta themelore e shtetasve italian për të jetuar në një realitet të sigurt dhe të informuar. Këto parime duhet të jenë të balancuara. Nuk mund të mbrohet një e drejtë themelore duke shkelur një tjetër të drejtë themelore e ndonjëherë edhe më të rëndësishme, të tilla siç janë liria e kronikës gazetareske dhe e shprehjes. Jam i sigurt se nëse ligji do të aprovohet, dikush në Itali ka për të ngritur çështjen e kushtetutshmërisë së tij dhe gjykatësit tuaj kushtetues, do të përballojnë një detyrë shumë të vështirë”.

E drejta për t’u informuar

Ndalimi që u bëhet mediave për të botuar përgjimet që i përkasin interesit publik shkel Nenin 21 të Kushtetutës Italiane – që mbron të drejtën dhe detyrën e kronikës gazetareske – gjithashtu shkel edhe ligjin ndërkombëtar. Që të kuptojmë rëndësinë e madhe të gazetarisë hulumtuese, le të kujtojmë këtu dy raste: atë të ish presidentit të Sh.B.A. Nikson – i cili për skandalin Watergate u detyrua të japë dorëheqjen falë botimit të fakteve nga ana e shtypit të lirë amerikan; dhe vendimin gjyqësor Sunday Times kundër Britanisë së Madhe’ (26 prill 1979) ku Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut njohu rolin themelor të mediave të komunikimit lidhur me të drejtën për të informuar publikun mbi procedimet gjyqësore kundër eksponentëve të rëndësishëm të politikës.

Shumë eksponentë me peshë të Italisë janë të pakënaqur nga publikimet që dalin nëpër faqet e para të gazetave që hedhin dritë mbi çështjet dhe bizneset e tyre – shpesh të dyshimta dhe ilegale. Kush merret me politikë dhe nuk ka asgjë për të fshehur, gjithashtu nuk ka frikë as nga verifikimet e vazhdueshme të medias, pasi në demokraci është themelore sistemi i kontrollit dhe balancimi i ushtrimit të pushtetit. Sjelljet skandaloze dhe penalisht të dënueshme të shumë figurave publike, vetëm një shtyp i lirë mund ti zbulojë, ti thelloj dhe ti përhap për publikun e gjerë që ky i fundit të mund të ushtrojë të drejtën e tij legjitime për tu informuar dhe për të njohur të vërtetën ashtu siç është.

Brunilda Ternova

Torino: Qytetarët e rinj dhe shtetësia italiane

Emigrantët në krizë