Shpëtim Koçiaj është lënë në mes të natës para derës së spitalit të Trevisos i plagosur me plumb në bark. E kanë qëlluar gjatë një grindjeje në një lokal nate
Romë, 17 janar 2012 – Ka përfunduar në gjak zënia në lokalin e natës “Ambra” të Trevisos mbrëmjen e të hënës. Viktima është 29 vjeçari Shpëtim Koçiaj, rezident në San Donà di Piave, që më pas është lënë përpara spitalit Ca’ Foncello të Trevisos.
Sipas forcave të rendit, Koçiaj ishte në klub bashkë me 7 shqiptarë të tjerë rezidentë në zonë. Aty ka nisur një grindje që ka përfunduar me të shtëna armësh. Më pas Koçiaj është dërguar në spital nga një kolumbiane dhe një shqiptar që pasi e kanë lënë në dorë të mjekëve janë larguar brenda pak minutave. Mjekët thonë se gjendja e tij është e rëndë, plumbi i ka hyrë Koçiajt në bark, i ka dëmtuar një veshkë e i ka dalë nga kurrizi, dhe për plagët e marra është dashur edhe një ndërhyrje kirurgjikale.
Policia që po heton mbi ngjarjen ka marrë në pyetje katër shqiptarë të tjerë që mendohet se kanë marrë pjesë në zënie.