Deklaratë e Përbashkët e Ambasadorit të SHBA në Tiranë, Aleksander Arvizu, Kreut të Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, dhe Kreut të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth
Tiranë 19 janar 2012 – Me afrimin e përvjetorit të parë të 21 janarit, kur para godinës së Kryeministrisë humbën jetën katër demostrues, Ambasadori i SHBA në Tiranë, Kreu i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë dhe Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, kanë nënvizuar nevojën e procesi gjyqësor të paanshëm dhe efikas. Në një deklaratë të përbashkët, kanë theksuar se “21 janari 2011 ishte një ditë e dhimbshme në historinë e afërt të Shqipërisë, me demonstrata të dhunshme në kryeqytetin shqiptar. Në atë ditë tragjike, katër protestues u vranë dhe dhjetëra të tjerë, përfshirë protestues, kalimtarë dhe oficerë policie, u plagosën. Sërish, duam të shprehim ngushëllimet tona për familjarët e viktimave të kësaj dhune të pakuptimtë dhe të pafalshme”.
“Është e nevojshme që të hidhet dritë e plotë mbi ngjarjet e 21 janarit nëpërmjet një procedure gjyqësore të besueshme, përfshirë një hetim gjithëpërfshirës, të pavarur dhe të lirë nga ndikimet partiake. Me të drejtë, populli shqiptar pret që të jepet drejtësi. Në këtë kontekst, ne besojmë që Zyra e Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë është institucioni i duhur për ta kryer këtë hetim dhe ai institucion ka besimin dhe mbështetjen tonë të plotë”, thuhet në deklaratë.
Tre ambasadorët theksojnë se sigurimi i respektit për shtetin ligjor është një element thelbësor i shoqërive demokratike dhe një parakusht për përparimin drejt integrimit në BE dhe kjo është gjithashtu pjesë e aspiratave të popullit shqiptar.
“21 janari 2012 duhet të jetë më tepër se një ditë përkujtimore. Duhet të jetë gjithashtu një rast për të gjithë qytetarët shqiptarë që të shohin drejt së ardhmes dhe për forcat politike që të forcojnë dialogun e tyre politik, bashkëpunimin mbi integrimin në BE dhe procesin e reformave”, thuhet në Për këto arsye, theksojnë ambasadorët, “ne nxisim udhëheqësit politikë të Shqipërisë t’i japin përparësi interesave të vendit dhe atyre të qytetarëve të tij para çështjeve partiake dhe të përqendrohen që të punojnë së bashku mbi hapat konkrete që në mënyrë vendimtare ta çojnë Shqipërinë përpara në rrugën e reformave në vitin 2012”.